Besimtarët myslimanë në mbarë botën festojnë Kurban Bajramin

Mijëra besimtarë myslimanë mbushën përplot të gjitha xhamitë e vendit për të falur namazin e Kurban Bajramit. Në xhaminë Mustafa Pasha në Shkup ku edhe u zhvillua ceremonia kryesore e Kurban Bajramit, u përcollën mesazhe për paqe në vendet tashmë të përfshira nga lufta, solidaritet dhe sakrificë për hir të Allahut.
“Në kohën e sfidave të mëdha kjo festë na kujton se është e domosdoshme të angazhohemi në eliminimin e veseve të këqija, në eliminonim e problemeve me të cilat përballet njerëzimi, të zhdukim varfërinë dhe të mbjellim qetësinë dhe begatinë e jetës, të ngritim vlerat morale ndaj anomalisë së sotme, të përhapim paqe në vend të luftës dhe mizorive siç po ndodhë në vende të ndryshme dhe të vendosim dijen mbi injorancën dhe rendin mbi kaosin”, tha Shaqir Fetahu, kryetar i BFI-së.

Kryetari i BFI-së, Shaqir Fetahu gjithashtu kujtoi se Kurban Bajrami si festë e madhe dhe e bekuar ngërthen në vete ngjarje hyjnore të cilat janë burim frymëzimi për ngritjen e vetëdijes së besimtarëve.
“Madhështia e kësaj feste të madhe qëndron në faktin se në këto ditë është plotësuar zbritja e Kuranit famëlart, janë ditë të kryerjes së Haxhit, kushtit të pestë të Islamit dhe besimtarët në këto ditë kryejnë obligimin e prerjes së kurbanëve të tyre për hir të Allahut fuqiplotë”., tha : Shaqir Fetahu, kryetar i BFI-së.
Fetahu gjithashtu theksoi se Kurban Bajrami përkujton sakrificën që profeti Ibrahimi ishte gati të bënte duke flijuar të birin, përpara se engjëlli të ndërhynte dhe t’i ofronte një dele për ta sakrifikuar në vend të tij. Gjithashtu Fetahu tha se festa e Kurban Bajramit karakterizohet edhe me kryerjen e Haxhit, që përbën dhe një nga pesë shtyllat e Islamit. Në bazë të mundësive fizike dhe financiare, myslimanët duhet ta kryejnë Haxhin të paktën një herë në jetë./Alsat.mk