Bisedimet në Stamboll, Zelensky dhe liderët evropianë flasin me Trump nga Tirana

Presidenca ukrainase ka njoftuar se, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, së bashku me presidentin francez Emmanuel Macron, kancelarin gjerman Friedrich Merz, kryeministrin britanik Keir Starmer dhe kryeministrin polak Donald Tusk – të cilët ndodhen në Tiranë – kanë zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin amerikan Donald Trump.
Sipas një zëdhënësi të Zelenskyt që ka folur për CNN, temë kryesore e diskutimit mes tyre ishin bisedimet Rusi-Ukrainë, të mbajtura në Stamboll.

E përderisa ende nuk ka detaje të tjera nga biseda e zhvilluar mes Trump dhe liderëve evropianë, kujtojmë se bisedimet e para të drejtpërdrejta për paqe mes Rusisë dhe Ukrainës pas më shumë se tre vitesh, janë mbyllur brenda dy orësh, pa ndonjë përparim.
Delegacionet nga të dyja palët ndërluftuese u takuan të premten në Turqi, ndërsa sipas një burimi ukrainas për Reuters, hendeku mes palëve ishte bërë i dukshëm menjëherë, pasi Rusia kishte paraqitur kërkesa “të shkëputura nga realiteti dhe përtej asaj që ishte diskutuar më parë”.
“Kushte të papranueshme dhe jokonstruktive,” ka thënë burimi ukrainas për Reuters në kushte anonimiteti, ndërkohë ende nuk ka pasur ndonjë koment nga pala ruse.