Blerant Ramadani uron kundër-kandidatin: I dëshiroj sukses në shërbim të komunës

111
fresco

Përmes një postimi në FB kandidati i AKI-së për komunën e Sarajit ka pranuar humbjen dhe ka uruar kundër-kandidatin e tij duke i dëshiruar sukses në shërbim të komunës.

Postimi i plotë i Ramadanit:
Të nderuar qytetarë të Sarajit,

Zgjedhjet përfunduan, por rrugëtimi ynë jo.

Sepse beteja për idealet, për drejtësinë dhe për dinjitetin e këtij vendi sapo ka hyrë në një fazë të re.
Unë e uroj kundër-kandidatin për rezultatin dhe i dëshiroj sukses në shërbim të komunës sonë.
Por mbi çdo fitore numerike qëndron një fitore më e madhe, ajo e ndërgjegjes, e besës dhe e qëndrimit për të vërtetën.

Ne e dinim se kjo nuk ishte vetëm një garë politike, por një sprovë karakteresh, që do të tregonte kush qëndron për parime dhe kush i shet ato për interesa të çastit.

Ashtu si në Betejën e Hendekut, që Zoti e përmend në Kuran, humbja nuk ishte humbje, por zbulesë.
Ishte momenti kur u dalluan ata që besuan me zemër nga ata që u dorëzuan për përfitime.

Kështu ndodh gjithmonë: sprovat nuk të rrëzojnë, por të pastrojnë nga ata që nuk i përkasin rrugës tënde.
Ne do të vazhdojmë këtë betejë me të njëjtin besim, me të njëjtën dashuri për Sarajin, dhe me kokën lart.
Sepse ideali ynë është më i madh se çdo mandat.

Ne luftojmë për një politikë që nuk blihet, për një Saraj që ngrihet mbi dije, punë e ndershmëri, për një të ardhme ku çdo familje ndjehet e përfaqësuar dhe me dinjitet.

Faleminderit për çdo dorë të shtrënguar, për çdo besim që më dhatë, për çdo shpresë që mbollëm bashkë.
Kjo është rruga jonë, jo rrugë e lehtë, por e drejtë.

Dhe unë do të vazhdoj të jem këtu, me ju, për ju dhe për Sarajin.

Sepse dashuria për vendin nuk njeh mbarim.

Ajo është betejë që vazhdon çdo ditë, me zemër, me dije dhe me besnikëri.
Me respekt dhe përkushtim,

Blerant Ramadani

Comments