Borrell: E mbështesim liberalizmin e vizave për Kosovën

95

Kryediplomatët evropianë në takimin e rregullt të mbajtur të hënën diskutuan për situatën në Ballkanin Perëndimor, në kohën kur agresioni i Rusisë kundër Ukrainës po vazhdon. Kolegët e tyre nga vendet e rajonit iu bashkuan ministrave evropianë në një debat joformal.

BE-ja ka thënë se mirëpret faktin që Kosova në tërësi ka mbështetur qëndrimet e BE-së dhe sanksionet ndaj Rusisë, edhepse formalisht nuk ka qenë e obliguar. Ndërsa ka pasur kritika ndaj Serbia që është shteti i vetëm i rajonit që nuk i ka mbështetur këto qëndrime.

Dialogu Kosovë – Serbi ka qenë temë diskutimeve, ndërsa burime të BE-së thonë se është pajtuar që Ballkanit Perëndimor duhet dërguar porosia e qartë. Po ashtu është thënë se liberalizimi i vizave për Kosovën duhet të ndodhë sa më shpejt.

Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, ka thënë se mbështesin liberalizimin e vizave për Kosovën.

Ai ka thënë se Komisioni Evropian ka paraqitur disa herë si çështje dhe ka bërë të ditur se janë përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim.

“Ne e mbështesim liberalizimin e vizave për Kosovën”, ka thënë ai.

Moebel THEMA

Borrell ka thënë se kanë folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi, duke shtuar se duhet të respektohen të gjitha marrëveshjet paraprake.

Ai ka thënë se një takim tjetër mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandar Vuçiq mund të mbahet para fillimit të verës.

“Ne duhet të krijojmë besim mes palëve, duhet të sjellim atmosferë të mirë brenda takimeve. Ne shpresojmë që para verës ne do të jemi në gjendje të mbajmë një tjetër takim mes kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë”, ka thënë ai.

Sipas burimeve nga takimi, disa ministra të Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së kanë paralajmëruar se është e nevojshme që Serbia të vendosë sanksione ndaj Rusisë, sikurse vendet e tjera të rajonit.

Përpara takimit, ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, përsëriti rëndësinë e mbështetjes së BE-së për sanksionet nga të gjithë partnerët në Ballkanin Perëndimor, “jo vetëm në aspektin e vlerave të përbashkëta, por edhe në çështjet me rëndësi strategjike”.

Një dokument që ishte objekt diskutimi midis ministrave të BE-së dhe në të cilin Radio Evropa e Lirë ka qasje, sugjeron se Serbia pritet të vendosë për zgjedhjen e saj strategjike.

“Serbia pritet të mos lërë asnjë dyshim në zgjedhjen e saj strategjike për integrimin evropian dhe përkushtimin ndaj vlerave të BE-së në mënyrë që të përparojë në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Nevojitet një angazhim i plotë për reformat e përshpejtuara në lidhje me BE-në, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit. Serbia është çelësi për stabilitetin dhe sigurinë në rajon”, thuhet në dokument. /Periskopi/

Comments