Borrell: Kosova dhe Serbia janë pajtuar të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në të kaluarën

166

Kryediplomati evropian, Josep Borrell është deklaruar mbrëmë rreth marrëveshjes së arritur në Bruksel mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimit dhe Petar Petkoviq.
Sipas Borrell, palët e lartcekura kanë rënë dakord për masat që duhet të ndërmarrin për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për t’u përqendruar plotësisht në propozimin për normalizimin e marrëdhënieve të tyre, bazuar në prezantimin që ju është bërë palëve në shtator të këtij viti nga BE-ja, propozim ky i mbështetur nga Franca dhe Gjermania, shkruan lajmi.net.

Borrell ka treguar edhe pikat në të cilat janë pajtuar palët në takim.

“Kjo do të thotë se Serbia do të ndalojë lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës dhe se Kosova do të ndërpresë çdo veprim të mëtejshëm lidhur me riregjistrimin e automjeteve”, ka deklaruar Borrell.

Në marrëveshjen që është shpërndarë në Twitter edhe nga zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, thuhet se palët janë pajtuar që të implementojnë të gjitha marrëveshjet paraprake mes tyre.

“BE-ja do të sigurojë që çështjet dhe parimet kryesore që lidhen me normalizimin do të trajtohen në kontekstin e propozimit. Palët e kuptojnë se të gjitha marrëveshjet e kaluara të Dialogut duhet të zbatohen”, thuhet në marrëveshjen e publikuar, që si duket nënkupton edhe zbatimin e marrëveshjes të nënshkruar në vitin 2015 për formimin e komunave me shumicë serbe.

Borrell ka deklaruar se në ditët në vijim do t’i njoftojë palët që të diskutojnë hapat e ardhshëm në kuadër të propozimit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Ai ka thënë se në rast të ndonjë pengese nga secila palë, ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian mund të përfundojë procesin.

“Unë dhe përfaqësuesi special i BE-së, Miroslav Lajçak, do të vazhdojmë të lehtësojmë procesin e normalizimit të marrëdhënieve dhe të përditësojmë rregullisht shtetet anëtare të BE-së dhe partnerët tanë për progresin e arritur nga palët”, ka përfunduar Borrell.

Kujtojmë se marrëveshja për targat është mirëpritur nga zyrtarët ndërkombëtarë në Kosovë, ndërsa është kritikuar nga partitë opozitare. /Lajmi.net/

Comments