“Bota Serbe” në Maqedoninë e Veriut alarmon BE-në dhe shqiptarët – si duhet vepruar?

91

“Bota serbe”, ka filluar të gjejë vend në Maqedoninë e Veriut dhe për këtë është duke u shqetësuar BE, por edhe partitë shqiptare.

Aleanca për Shqiptarët ditë më parë ka shprehur shqetësim lidhur me siç thuhet, përmbajtjen e draft-rezolutës së Parlamentit Evropian, e cila evidenton ndikimin destabilizues të konceptit të ashtuquajtur “Bota Serbe” në Maqedoninë e Veriut dhe në gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Sipas ASH-së, në këtë dokument të rëndësishëm, të bazuar në raportin e eurodeputetit Tomas Ëaitz, thuhet se Bota serbe po zhvat sovranitetin e Maqedonisë së Veriut dhe të rajonit, dhe për këtë ka përkrahje dhe promovim nga përfaqësues të Qeverisë në Shkup.

Raporti i Parlamentit Evropian kërkon hapjen e arkivave të UDBA-s dhe KOS-it në Maqedoni dhe Serbi, si një hap domethënës drejt zbardhjes së së kaluarës totalitare dhe forcimit të demokracisë dhe transparencës institucionale.

“Në draft-rezolutë theksohet se Maqedonia e Veriut mbeteet objekt i operacioneve armiqësore për ndikim të huaj… veçanërisht përmes mediave në gjuhën serbe, të cilat përhapin narrativa të Kremlinit dhe gëzojnë ndikim të konsiderueshëm. Po ashtu, dokumenti ngre shqetësime serioze për rrjete ruse të ndikimit dhe për aktivitetet propagandistike të Kinës përmes mediave vendore, investimeve me klauzola detyruese dhe huave me kushte asimetrike – përfshirë një hua të marrë nga Hungaria për Maqedoninë e Veriut, e cila dyshohet se është me origjinë kineze”.

Aleanca për Shqiptarët paralajmëron se përfshirja e thellë e strukturave të “Botës Serbe” në vend, përmes kanaleve të mediave, investimeve politike dhe strukturave të errëta të sigurisë, përbën kërcënim të drejtpërdrejtë për orientimin euroatlantik të shtetit dhe për bashkëjetesën ndëretnike në Maqedoninë e Veriut.

“Ne i bëjmë thirrje të gjitha forcave progresive, partive politike, shoqërisë civile dhe mediave të lira që të qëndrojnë në anën e demokracisë dhe të kundërshtojnë çdo përpjekje për instrumentalizim të shtetit në funksion të agjendave të huaja destruktive. Më 8 korrik në Strasburg pritet të zhvillohet debati për këtë dokument alarmues. Aleanca për Shqiptarët do të vazhdojë të ngrejë zërin në të gjitha nivelet për ta mbrojtur karakterin demokratik, pluralist dhe euroatlantik të Maqedonisë së Veriut”.

Në anën tjetër, kryeministri Hristijan Mickoski thotë se nuk e ka shqyrtuar raportin e Parlamentit Evropian, në të cilin raportuesi për Maqedoninë e Veriut, Thomas Vajc, shpreh shqetësim për ndikimin e shtuar serb në vend.

Por, Mickoski nuk pajtohet me këtë konstatim dhe thotë se realiteti në praktikë, pas ardhjes së kësaj qeverie, është ndryshe.

“E hedh poshtë një konstatim të tillë dhe nuk besoj se një gjë e tillë është e përfshirë në ndonjë raport zyrtar të Bashkimit Evropian, sepse do të ishte shumë naive. Edhe nga kontaktet që i kam unë me përfaqësues të BE-së, të paktën që kur është kjo qeveri, jo vetëm që nuk kemi asnjë pikë të përbashkët me konstatim të tillë, përkundrazi – nëse ndonjëherë më parë ka ekzistuar iniciativa Ballkani i Hapur, të paktën prej kur është kjo qeveri, një gjë e tillë nuk ekziston, sepse nga ajo që unë mund të shoh, është humbur çdo kuptim i asaj iniciative”, ka deklaruar Hristijan Mickoski – Kryeministër.

Analistët shqiptarë në Maqedoni e konsiderojnë këtë shqetësuese, gjersa shtojnë se është e vërtetë kjo për shkak se qytetarët maqedonas më shumë e duan Serbinë sesa shtetin e tyre.

Llojllojshmëria serbe në Maqedoni

Analisti Ramadan Ramadani, thotë se ndikimi i Serbisë dallonë nga kohëzgjata dhe nga llojllojshmëria.

Ai bën ndërlidhjen edhe të pjesëmarrjes së Maqedonisë në Ballkanin e Hapur, gjersa shton se distancimi i kryeministrit ishte i menjëhershëm.

“Është tejet shqetësuese fakti se ndikimi nga e ashtuquajtura “bota serbe” është përmendur në raportin e BE-së për Maqedoninë në të njëjtën vijë me mundësitë e sabotimeve ruse dhe kineze pasi ka dallim esencial. Ndikimi i Serbisë dallon edhe nga kohëzgjatja edhe për nga llojllojshmëria me këto hamendje gjeo-politike tjera. Kjo sepse ka pakicë serbe në Maqedoni, ndikim të madh kulturor dhe afërsi shpirtërore nga Kisha Ortodokse dhe së fundmi Maqedonia e Veriut ishte pjesë e një projekti politik rajonal Ballkan i Hapur. Mendoj se mu nga këto shqetësime ishte i menjëhershëm distancimi i kryeministrit aktual Hristijan Mickovski mu nga ky projekt që të bëjë të qartë se Qeveria ndër drejtimin e tij nuk ka marrë pjesë në kësi aktivitete. Ndonëse ende formalisht nuk ka dalë nga ky projekt siç bëri së fundmi Shqipëria”, deklaron Ramadani.

Raporti i Parlamentit Evropian është publikuar më 26 qershor, ndërsa në pikën 80, raportuesi Thomas Vajc shkruan se Parlamenti Evropian shpreh shqetësim për të ashtuquajturin koncept “bota serbe”, i cili është përkrahur dhe promovuar pikërisht nga përfaqësues të qeverisë. Vajc pretendon se në këtë mënyrë, përmes Serbisë, por edhe përmes Hungarisë, Maqedonia e Veriut ndodhet nën ndikim të fuqishëm të politikës ruse dhe kineze. Sipas Vajcit, ka të dhëna se shteti rus ka përdorur përfaqësues të mediave serbe për përhapjen e narrativit armiqësor ndaj NATO-s, duke pretenduar se BE-ja po ushtron presion mbi Maqedoninë e Veriut që të heqë dorë nga identiteti i saj. Edhe pse është vërtetuar se subjektet diplomatike kineze kanë financuar propagandë në mediat maqedonase, Hungaria përmendet gjithashtu si aktor në zinxhirin e shteteve që punojnë për avancimin e qëllimeve gjeopolitike të Moskës dhe Pekinit, duke u bërë pjesë e fushatave dezinformuese, kërcënimeve hibride dhe korrupsionit strategjik. Vajc në raportin e tij thekson se vendi së fundmi ka marrë hua prej 500 milionë eurosh nga Hungaria, ndërsa origjina e këtyre parave duket se është nga Kina. Raporti i Vajcit për Maqedoninë e Veriut pritet të shqyrtohet në seancën plenare më 8 korrik.

Referendum i mundshëm, statistikat dhe rrymat politike në Maqedoninë e Veriut

Ndërsa, analisti politik Sylejman Mehazi, jep statistika sesi do të votonin maqedonasit nëse do të mbahej një referendum për t’iu bashkuar Serbisë.

Sipas tij, ata në brendësi janë më serbë se vetë serbët.

“Raporti i Parlamentit Evropian për “botën serbe”, në RMV sa është realitet aq dhe e vërtetë, se qytetarët maqedonas më shumë e duan Serbinë sesa shtetin e tyre të RMV-së, nëse qeveria e RMV-së do bënte një referendum për t’iu bashkuar Serbisë, më pak 60% të maqedonasve do kishin votuar pro-Serbisë, kurse 40% e më pak do ishin kundër Serbisë e për RMV-në. Edhe pse jashtësisht e politikisht qeveria e RMV-së në krye me Mickoskin duken si pro-amerikan duke kundërshtuar Serbinë e BE-në, por brendësisht, me zemër e me shpirt janë më serbë se vetë serbët, kjo vërehet që nga krijimi i Maqedonisë më 1991 e deri më sot, në mes maqedonasve dhe shqiptarëve, pasi kërkesat, dëshirat armiqësore të maqedonasve ndaj shqiptarëve dhe BE-së janë të njëjta, serbët kërkojnë “vdekjen e shqiptarëve” edhe maqedonasit kërkojnë “vdekjen e shqiptarëve”, serbët e duan Rusinë edhe maqedonasit e duan Rusinë e janë kundër BE-së.”, deklaron Mehazi.

Ai tregon se në Maqedoni të Veriut dëgjohet muzika serbe dhe se prindërit maqedonas frymëzojnë fëmijët t’i urrejnë shqiptarët.

“Sesa janë maqedonas në RMV tregon themeluesi dhe ish – kryetari i VMRO-së, ish-kryeministri i kësaj republike, Lupçe Georgievski, i cili thotë, se identiteti i maqedonasve është prodhuar nga ajo serbe, se maqedonasit janë krijuar që nga 1945, pas Luftës së Dytë Botërore dhe se para kësaj lufte kanë qenë serbë të ardhur nga Serbia që është quajtur “Srpska Banovina”. Sot e kësaj dite nëpër shtëpitë, dasmat, kafenet e maqedonasve dëgjohet muzikë serbe, sot e kësaj dite prindërit maqedonas i frymëzojnë fëmijët e vetë t’i urrejnë shqiptarët njësoj sikurse serbët që na urrejnë. Edhe gjatë kampionateve sportive: futboll, basketboll, tenis përkrahin Serbinë dhe klubet serbe sesa ato maqedonase”, shprehet analisti.

Tutje, ai bën krahasim të qeverive në Maqedoni, gjersa shton se ka dy rryma politike e gjeostrategjike.

“Nëse bëjmë krahasimin e qeverisë paraprake të RMV-së me qeverinë e sotme të Mickoskin do vërejmë se Zaevi e Kovaçevski u pajtuan që të hyjnë në Ballkanin e Hapur të Vuçiqit që është më afër “botës serbe, sesa kryeministri i tanishëm Hristijan Mickoskit që më shumë çon politikë amerikane duke kundërshtuar BE-në për shkak futjes së pakucës bullgarëve në kushtetutën e RMV-së. Nuk është e rastësishme bashkëpunimi i shkëlqyeshëm i Mickoskit të RMV-së me Kurtin e Kosovës të cilët si dy shtete fqinje kritikojnë BE-në në të mirë të shteteve të tyre. Shkurt e qartë, në RMV ka dy rryma politike e gjeostrategjike, njëra rrymë është proserbe me Ballkanin e Hapur të Vuçiqit, tjetra është ajo pro-amerikane me kryeministrit Mickoskin-Vleni dhe LVV-në e Kurtit”, përfundon Mehazi./Bota Sot/

Comments