Branko Manojlovski kandidat për deputet?



Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur vendosmërinë për përmbushjen e afateve të pëprcaktuara me ligj në mënyrë që zgjedhjet t’i përmbushin të gjitha standardet. Lista e Votuesve do të jetë e hapur për ndërhyrje deri më 11 nëntor. Po më këtë datë skadon edhe afati për paraqitjen e listave të kandidatëve për deputetë.
Në prag të zgjedhjeve parlamentare të caktuara për 11 dhjetor, vazhdojnë aktivitetet partiake për mobilizim të anëtarësisë dhe simpatizantëve të tyre me qëllim që testin e radhës ta kalojnë sa më mirë. Gati se të gjitha shtabet tash më kanë filluar të mendojnë për hartimin e listave të kandidatëve me të cilat do të mundohen të sigurojnë verdiktin e votuesve. Nëse nga partite opozitare nuk priten befasi, me padurim priten të shihen skuadrat e partive në pushtet. Kjo për shkak të të ashtuquajturave bomba politike në të cilat janë lakuar emrat e më shumë zyrtarëve.
Në pozitë më të vështirë, duket se ka për të qenë VMRO-DPMNE-ja e Nikola Gruevskit, për shkak se një dyzinë figurash të saj, përfshirë dhe vet ish-kryeministrin, figurojnë si të dyshuar për veprimtari të jashtëligjshme elektorale e korruptive. Edhe në formacionin e Bashkimit Demokratik për Integrim, po ashtu, priten freskime.
Burime të afërta me këtë parti thonë, në kushte anonimiteti, se gati është e sigurt se kandidat për deputet, në një renditje fituesi, ka për të qenë edhe Branko Manojlovski, njeriu i cili i pari bëri publike se është shqiptar ortodoks nga krahina e Rekës. Njësoj si dhe integristët, edhe në Partinë Demokratike Shqiptare lënë të kuptohet se edhe në ekipin e tyre përfaqësues do të ketë ndryshime. Po çfarë do të ishte deputeti i ardhshëm, në sytë e votuesve?
Rjedhimisht, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur vendosmërinë për përmbushjen e afateve të përcaktuara me ligj në mënyrë që zgjedhjet t’i përmbushin të gjitha standardet. Lista e Votuesve do të jetë e hapur për ndërhyrje deri më 11 nëntor. Deri atëherë mundësinë e paraqitjes për të votuar e kanë edhe 30 mijë e 447 votuesit e debatueshëm. Partitë politike, njësoj si dhe kandidatët e pavarur për deputetë, duhet t’I paraqesin listat e veta deri në mesnatën e 11 nëntorit. Shorti për renditjen do të hidhet më 20 nëntor, kurse fushata do të zgjasë deri në nëntë dhjetor, kur hy në fuqi e ashtuquajtura heshtje zgjedhore.