Breshëri plumbash – Dy të plagosur në Prishtinë
Një ngjarje e rëndë ka tronditur Prishtinën në orët e para të mëngjesit, ku të shtëna me armë zjarri kanë lënë dy persona të plagosur.
Rasti ka ndodhur më 16 prill rreth orës 03:40 në rrugën “Ahmet Krasniqi”.
Siç mëson Sinjali, njësitet e Stacionit Policor “Veriu” kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë hasur në dy persona të plagosur me armë zjarri – P.M dhe B. Sh..
Të njëjtit janë dërguar me urgjencë në QKUK, ku po marrin trajtim mjekësor dhe janë mbajtur në regjim shtrati.
Në vendin e ngjarjes kanë ndërhyrë edhe hetuesit rajonalë, të cilët kanë kryer ekzaminimin dhe mbledhjen e provave materiale.
Sipas informatave, njëri nga të dyshuarit ndodhet në arrati, ndërsa i dyshuari tjetër, V. H., është intervistuar për veprën penale “Manipulim me prova”.
Sinjali mëson se ai dyshohet se ka fshehur një armë zjarri – pistoletë me numër serik të dëmtuar së bashku me 6 fishekë dhe një karikator, të cilat janë gjetur në vendin e ngjarjes.
Po ashtu, në lokacion janë sekuestruar edhe 26 gëzhoja të kalibrave të ndryshëm, çka tregon për intensitetin e të shtënave.
Me urdhër të prokurorit kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda, rasti është cilësuar si: “Vrasje e rëndë në tentativë”, “Armëmbajtje pa leje”, “Manipulim me prova”.
Hetimet janë në zhvillim për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarit tjetër.

