Çka do të ndodhë me çështjen e njohjes së Kosovës pasi Afganistani ra në duar të talibanëve?

492
fresco

Për të dytën javë me radhë Afganistani është në duart e talibanëve. Ky zhvillim i ka sjellë ndryshime të shumta shtetit afgan por edhe vendeve të tjera.

Ndikuar nga ky ndryshim i sistemit shtetëror atje mund të jetë edhe Kosova, kjo duke u tërhequr njohja e pavarësisë, e cila i bë më 18 tetor të vitit 2008. Afganistani është në mesin e shtatë vendet të para që e kanë njohur Kosovën menjëherë pas shpalljes së pavarësisë.

Lidhur me këtë për Klankosova.tv është deklaruar ish-ministri i Punëve të Jashtme në Kosovë, Behgjet Pacolli, i cili ka thënë se nëse ndodh kjo, Kosova duhet të veprojë në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Nuk besoj që Qeveria e ardhshme do të ketë kohë të merret me njohjen e Kosovës për shkak të problemeve tjera me të cilat do të konfrontohen. Besoj se ata ( talibanët) do të mundohen sa më pak të bëjnë dëme duke e ditur se izolimi atyre nuk u ndihmon. Kosova duhet t’i koordinojë hapat e vet me SHBA-në dhe BE-në në këtë çështje delikate”, ka thënë Pacolli.

Ndërsa, opinionistja Jehona Lushaku-Sadriu ka theksuar se nuk pret ndonjë veprim të shpejtë sa i përket tërheqjes së njohjes së Kosovës nga Afganistani.

“Me rënien e Qeverisë në Afganistan sigurisht që do të ketë edhe ndryshime në politiken e jashtme. Sa i përket tërheqjes se njohjes së Kosovës nuk pres ndonjë vendim të shpejtë. Kosova duhet të koordinohet me aleatët për veprime të mundshme eventuale, por situata tani është krejt kaotike derisa nuk kemi qartësi strukturore dhe institucionale në Afganistan”,ka thënë Lushaku-Sadriu për Klankosova.tv.

Nga ana tjetër opinionisti Bekim Çollaku ka deklaruar se Qeveria duhet ta bëjë punën e vet për ta parandaluar largimin e njohjes nga Afganistani.

“Çështja e çnjohjes tashmë është faktike në marrëdhëniet ndërkombëtare, pavarësisht debateve kontraverse akademike. Një gjë të tillë e kemi parë edhe në rastin e Kosovës kur shtete të caktuara për arsye dhe interesa të brendshme politike, strategjike apo edhe financiare, kanë tërhequr njohjen formale të Kosovës. Në rastin konkret, edhe pse nuk ekziston ndonjë arsye e fortë ligjore, ndryshimet e brendshme në Afganistan, nuk përjashtohet që mund të rezultojnë në ndryshime të cilat mund të nxisin çnjohjen eventuale ndaj vendit tonë. Në këtë fazë, nuk kemi arsye të paragjykojmë se një gjë e tillë do të ndodhë. Mirëpo edhe nëse ndodh, reputacioni ndërkombëtar i shtetit të Afganistanit është i rrënuar dhe ka pak mundësi të prodhoj efekte të mëdha negative për Kosovën në arenën ndërkombëtare. Por në çdo rast, Qeveria e Kosovës duhet të bëj punën e vetë për të parandaluar një gjë të tillë”, ka deklaruar Çollaku për Klankosova.tv.

Ish-ambasadori i Kosovës në Turqi, Avni Spahiu, ka theksuar se talibanët nuk do të kenë kohë të merren me çështje të tjera si kjo e tërheqjes së njohjes për Kosovën.

“Nuk është koha të thuhet me saktësi. Regjimi taleban do të ketë problem me legjitiminin ndërkombëtar për veten. Nuk do të ketë kohë të merret me çështje të tjera që si pasojë do të kishin zgjerimin e izolimit të vet ndërkombëtar…”, ka thënë Spahiu për Klankosova.tv.

Në aeroportin e Kabulit janë bërë tollovi të mëdha nga njerëzit që janë duke ikur nga Afganistani, një pjesë e tyre janë shtetas të huaj por edhe afganë që punuan për këto vende. SHBA-të kanë një numër të vogël të forcave ushtarake aty, për të cilat kanë deklaruar se do të qëndrojnë derisa të bëhet evakuimi i të gjithë personave që duhet.

Kosova është në mesin e disa vendeve të botës që do të ofrojnë strehim për afganët me kërkesë të SHBA-së.Dje ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se do t’i strehojnë 2000 afganë. Akoma nuk dihet dita e saktë se kur refugjatët e parë do të vijnë në Kosovë.

Shpërndaje në:

Comments