CNN publikon pamje të rënda: Trupa të përgjakur të grave e fëmijëve pas sulmit izraelit

196
fresco

Televizioni amerikan, CNN, ka siguruar dhe ka publikuar pamje absolutisht të rënda të trupave të përgjakur të disa fëmijëve dhe grave menjëherë pas një sulmi ajror izraelit afër një klinike shëndetësore në pjesën qendrore të Gazës.

Paralajmërim: Pamjet e mëposhtme janë të rënda. Nuk rekomandohen për fëmijë dhe persona të tjerë të ndjeshëm.

Sipas raportimit të agjencisë së lajmeve “Reuters”, e cila i citoi autoritetet lokale shëndetësore, dhjetë fëmijë dhe gjashtë të rritur mbetën të vrarë nga ky sulm, ndërsa bisedimet për armëpushim po vazhdojnë dhe nuk pritet një marrëveshje e menjëhershme.

Në pamje të verifikuara nga sulmi në Deir al-Balah shihen trupat e grave dhe fëmijëve të shtrirë në gjak mes pluhurit e bërtitjeve. Në një video shfaqen trupat e disa fëmijëve që s’lëviznin në një qerre me gomar.

“Ajo nuk bëri asgjë, ishte e pafajshme, betohem. Ëndrra e saj ishte që lufta të përfundonte dhe që ta njoftonin sot, të kthehej në shkollë” – tha Samah al-Nouri, e ulur pranë bijës së saj që u vra nga shpërthimi.

“Ajo vetëm po merrte trajtim në një objekt mjekësor. Pse e vranë ata” – pyeti nëna e pikëlluar, ndërsa trupa të tjerë shiheshin të shtrirë përreth saj në një spital.

Ushtria izraelite tha se kishte goditur një militant që kishte marrë pjesë në sulmin e udhëhequr nga Hamasi në Izrael më 7 tetor 2023, që do ta nxiste më pas fillimin e luftës. Ushtria tha se ishte e vetëdijshme në lidhje me një numër të kalimtarëve të lënduar dhe se incidenti ishte duke u analizuar.

Projekti “Hope” me seli në ShBA tha se sulmi izraelit ndodhi mu jashtë klinikës shëndetësore “Altayara” që menaxhohet prej tyre. “Të tmerruar dhe zemërthyer, nuk mund të tregojmë më se si ndihemi” – tha në një deklaratë ky grup.

Comments