Costa: Kosova e ka vendin në familjen europiane, është vitale të bëhet progres në dialog

Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, sot në Prishtinë tha se zgjerimi drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor është investimi më i rëndësishëm gjeopolitik nga Bashkimi Europian.
Ai tha se vendi i Kosovës është në BE, por se kjo kërkon përmbushjen e angazhimeve të Kosovës.
“Është edhe angazhimi im personal. Nuk mund të theksoj sa duhet sa i rëndësishëm është zgjerimi për Bashkimin Evropian dhe, besoj, edhe për ju dhe vendin tuaj. Ai është një investim në paqe dhe stabilitet, dhe sjell përfitime të konsiderueshme për qytetarët tuaj”, tha Costa në një konferencë të përbashkët me presidenten Vjosa Osmani sot në Prishtinë, raporton Gazeta Express.

“Vendi i Kosovës është në familjen e Bashkimit Evropian, por kjo kërkon gjithashtu që ju të përmbushni angazhimet tuaja. Me përfaqësuesin e ri të posaçëm të Bashkimit Evropian, z. Peter Sorensen, të emëruar këtë vit, është koha të shfrytëzohet kjo mundësi dhe të ecet përpara. Keni punuar shumë për të forcuar demokracinë tuaj gjatë viteve të fundit dhe jam i bindur se do të vazhdoni në të njëjtin drejtim. Kjo gjithashtu përfshin ndërtimin e konsensusit ndërmjet forcave të ndryshme politike”.
Costa ka kërkuar nga Kosova progres të prekshëm në dialogun me Serbinë dhe tha se kjo është jetike.
“Plani i rritjes për Ballkanin Perëndimor është një mundësi e madhe. Është thelbësore të vazhdohet puna për zbatimin e agjendës suaj ambicioze të reformave, në mënyrë që të përfitoni plotësisht prej saj. E mirëpres fjalën tuaj për Dialogun Beograd-Prishtinë. Siç e dini, është gjithashtu jetike që të arrihet përparim i vërtetë dhe i prekshëm në këtë dialog dhe të normalizohen marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo do të ishte në dobi të rrugës suaj evropiane dhe, në fund të fundit, për jetën e qytetarëve të Kosovës”.
“Në fund të fundit, gjithçka varet nga ndërtimi i besimit – që të jeni një partner i besueshëm dhe i qëndrueshëm, brenda vendit, me fqinjët tuaj dhe me partnerët tuaj në Bashkimin Evropian. Ju faleminderit shumë, zonja Presidente”.