De Boer: Nuk i njoh rivalët e mi, fitojmë çdo ndeshje
Fitorja e parë në kampionat u arrit. Tani Interi i teknikut Frank de Boer mund të nisë të mendojë për Europa League-n, ndonëse ky kompeticion nuk është synimi kryesor. Nesër, në “San Siro”, skuadra zikaltër nis sezonin e vet evropian me ndeshjen kundër izraelitëveve të Hapoel Beer-Sheva-s, ku synimi fitore në teori nuk duhet diskutuar. Në konferencën e sotme për shtyp, holandezi De Boer theksoi vullnetin e Interit për të bërë mirë që tani e tutje. “Ne duam të fitojmë çdo ndeshje. Tri pikë do të ishin shumë të rëndësishme. Kundërshtarët tanë nuk i njoh mirë, por videot mund të ndihmojnë. Ne i respektojmë ata, i janë afruar Champions League-s. Kur eliminon një skuadër si Olympiakos dhe rrezikon ta bësh edhe me Celtic-un, do të thotë se skuadra ka cilësi. Këtë punë duhet ta marrim me shumë seriozitet”, – u shpreh fillimisht ai.
Më pas, tekniku iu rikthye fitores ndaj Pescara-s. “E kemi kontrolluar ndeshjen për shumë kohë, duke krijuar shumë raste. Fatkeqësisht kjo nuk mjafton dhe duhet të përmirësohemi ende”, – komentoi ai. Natyrisht, nuk mund të mungonin dy fjalë për përballjen e ardhshme me Juventusin, por De Boer e injoroi përkohësisht si sfidë. “Ndeshja më e rëndësishme është gjithmonë ajo e radhës. Ne jemi tërësisht të përqendruar tek Europa League“, – theksoi 46-vjeçari.