Dëmet 15 milion euro, ja sa kompani pësuan nga vërshimet

104

Moebel THEMA

 

Mbi 20 depo të po aq firmave private të vendosura në Hasanbeg janë shkatërruar tërësisht. Afaristët sot dolën me kërkesë deri tek pushteti që edhe ata të jenë pjesë e kompensimit të dëmit pasi malli i tyre në vlerë prej 15 milion euro është shkatërruar tërësisht. Mbi 300 puntorë të angazhuar në zonën e quajtur Ekonomia  që kanë siguruar kafshatën e bukës, tani rrezikojnë të mbeten pa punë nëse depot nuk rindërtohen.

Pronarët e firmave që operojnë në këtë zonë na e treguan mallin që fillon prej ushqimit, teknikës së bardhë, lodrave, grurit e gjësendeve të tjera për amvisëri që tashmë kundërmonin më rëndë se sa kafshë të ngordhura. Balta i kishte mbuluar tërësisht, dhe ishte e vështirë të lëvizësh nëpër hapësirën e madhe disa hektarëshe. Që në hyrje të zonës tashmë kishte filluar të kundërmojë një erë e rëndë dhe balta kishte filluar të thahej, duke vështirësuar edhe pastrimin e mëtejmë.

Kjo zonë e cila gjendet në mes të  Hasanbegut dhe Haraçinës nuk ishte e vetmja që kishte pësuar nga vërshimi. Në afërsi të saj kishte restorane, pika e karburantit, servis makinash që të gjithë duheshte të fillojnë nga e para. Tek tuk mund të shihej ndonjë zorrë për nevojat elementare të pronarëve në tentativë për të zbutur erën e keqe dhe papastërtinë që veq më shumë po përkeqësohej dhe po rrezikonte edhe shëndetin e tyre.

Megjithë faktin se këto kompani shqiptare janë dëmtuar skajshmërisht, ata shprehin gatishmëri për të ndihmuar me bukë ujë dhe gjëra të tjera elementare për familjet e vërshuara.

Comments