Dëmtuan buxhetin e shtetit për mbi 1 milion euro, çka thuhet në aktakuzën ndaj ministrit Damka dhe sekretarit Kamberaj?

72

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj ministrit të Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, dhe ushtruesit të detyrës së sekretarit të kësaj ministrie, Besim Kamberaj, nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në njoftimin zyrtar te Prokurorisë thuhet se Damka dhe Kamberaj, nga 16 gushti i 2021-tës e deri më 24 mars të 2022-tës, kanë tejkaluar kompetencat e tyre ligjore me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për dy organizata joqeveritare, “Germin” dhe “Caritas Zviceran”, shkruan IndeksOnline.

Sipas aktakuzës, Damka dhe Kamberaj, duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për marrëveshjet ndërkombëtare dhe procedurat e financimit publik të OJQ-ve, dhe në kundërshtim me kompetencat e Ministrisë, kanë tejkaluar limitet e mundësisë së financimit të OJQ-ve nga fondet publike, duke financuar organizatat e përmendura pa organizuar thirrje publike.

Sipas Prokurorisë Speciale, ekziston dyshimi i bazuar mirë se Damka dhe Kamberaj i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës në vlerë prej 1 milion e 40 mijë eurosh.

“Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë që, pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe ndaj tyre të shqiptohet dënim me gjobë dhe dënim me burgim efektiv, pasi vetëm me këto lloje dënimesh do të arrihet qëllimi i paraparë me nenin 38 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës” thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

IndeksOnline ka kontaktuar ministrin Damka për të marrë një qëndrim të tij lidhur me këtë çështje, por ai nuk është lajmëruar./IndeksOnline/

Comments