Dëshmitari thotë se Drejtoria Politike e udhëhequr nga Thaçi nuk kishte të bënte me çështje ushtarake

600

Dëshmitari Bislim Zyrapi tha se Drejtoria Politike merrej me aspekte ndërkombëtare dhe politike, ndërsa ajo ushtarake kishte të bënte vetëm me çështje ushtarake.

“Nuk është ndarë Shtabi i Përgjithshëm në dy grupe, por pjesa politike është nda të veprojë me aspektet ndërkombëtare dhe me ndërkombëtarët, si me vëzhguesit që ishin në Kosovës, si me OSBE-në, si me të gjithë të merrej kjo drejtori dhe ky grup i pjesës politike, kurse çështja ushtarake është çështje ushtarake dhe të merret me çështje ushtarake”, tha ai duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit Luka Mishetiq.

Zyrapi theksoi se grupi politik merrej me negociata dhe nuk përfshihej në çështjet ushtarake, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas Luka Mishetiq, në gjykimin ndaj Ramush Haradinajt në vitin 2008, dëshmitari kishte thënë se nga maji deri në shtator të ’98-ës, operacionet ushtarake nuk autorizoheshin paraprakisht nga Shtabi i Përgjithshëm në asnjë vend të Kosovës. Këtë argumentim të mbrojtjes, dëshmitari e pohoi me kokë, por përgjigja e tij nuk u dëgjua për publikun.

Dëshmitari pohoi se qëndron fakti se nga momenti kur kishte hyrë në Kosovë e deri në momentin që ishte larguar në shtator, nuk kishte komunikime të rregullta në mes Shtabit të Përgjithshëm dhe komandantëve të zonave.

“Vështirë ka qenë të komunikohet, përveçse nëse kemi shku, kam shku në atë zonë ose ai ka ardhë kah Shtabi, e që kemi mujtë të takohemi se ka qenë e vështirë. Nuk kemi pas një komunikim në mënyrë komunikuese në telefon ose…unë personalisht po foli, as me radio-lidhje, po kam mujtë vetëm fizikisht të takohem me ta”, tha tutje dëshmitari.

Sipas Mishetiqit, në çështjen ndaj Milutineviqit, dëshmitari kishte thënë që ka pasur një sallë komunikimi në të cilën ishte caktuar një oficer.

“Kështu, kjo është pas riorganizimit të Shtabit të Përgjithshëm kur është bërë Drejtoria Operative. Në kuadër të Drejtorisë Operative është ndërtuar salla operative, në atë sallë janë marrë të gjitha raportet dhe informacionet nga zonat, janë përpunuar dhe janë dhënë komandës se çfarë po ndodhë në ato zona ose raportime që po vijnë. Po është e vërtetë, kështu ka qenë”, tha ai.

Në të njëjtin gjykim, dëshmitari kishte thënë se roli i këtij oficeri ishte të kontaktonte zonat operative, të mësonte se çfarë kërkesash kishin, t’ua përcjelltë ato tek Shtabi dhe të krijonte një panoramë të çartë se çfarë po ndodhë në të gjithë territorin e Kosovës.

“Është përshkrim i saktë i eprorit në Drejtorinë Operative”, tha Zyrapi.

Ai shtoi se sa kishte dijeni, telefonat satelitorë i kishin marrë nga dhjetori i ’98-ës e më pas mohoi se e dinte nëse dikush nga anëtarët e UÇK-së kishte përdorur telefon të tillë më herët.

Zyrapi tha se qëndron fakti se nga mesi i korrikut kur ishte bërë vetë drejtor i Drejtorisë Operative nuk kishte telefon satelitor deri në dhjetor të ’98-ës.

Tutje, ai pohoi se Thaçi ishte vendosur në krye të Drejtorisë Politike në dhjetor të vitit 1998 dhe se Azem Syla e të gjithë të tjerët e vlerësonin aftësinë e tij politike.

Sipas Mishetiq, dëshmitari kishte thënë për ZPS-në se Thaçi nga Drejtoria Politike komunikonte drejtpërsëdrejti me Azem Sylën, por që përgjigja e Zyrapit nuk u dëgjua vetëm se u pa teksa pohonte me kokë.

Nuk u dëgjua as përgjigja e dëshmitarit kur Mishetiq i tha se a është e drejtë të thuhet se nga dhjetori i 1998-ës deri në mars të ’99-ës, Thaçi merrej me aspekte diplomatike, ndërkombëtare, kryente bisedime dhe i raportonte Azem Sylës.

Comments