Dështon edhe përpjekja e 19-të për konstituim: VV-ja nuk heq dorë nga votimi i fshehtë dhe Albulena Haxhiu

As përpjekja e 19-të i deputetëve për konstituimin e Kuvendit nuk ka rezultuar e suksesshme. Kjo pasi Lëvizja Vetëvendosje nuk ka hequr nga propozimi që kandidatja për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, të votohet në mënyrë të fshehtë.
Propozimi i VV-së për votimin për formimin e një komisioni për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit me votë të fshehtë nuk ka kaluar as për të 11-tën herë.
Kjo pasi PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja nuk po marrin pjesë në këtë votim, duke vlerësuar se një gjë e tillë është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
Për formimin e këtij komisioni sot kanë votuar vetëm 54 deputetë, 1 kundër dhe asnjë abstenim.
Pas dështimit të këtij votimi, kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, e ka ndërprerë seancën, duke njoftuar se përpjekja e radhës do të bëhet të premten në orën 11:00.

Kryetari i VV-së, Albin Kurti, ka bërë me dije se nuk lëshon pe në lidhje me propozimin e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit.
Në një intervistë për RTK-në, Kurti ka thënë se nuk lejon që të tërhiqte Haxhi nga gara.
“Ne nuk lejojmë të shkelet gruaja më e votuar e legjislaturës së nëntë. Ne nuk po i kontestojmë propozimet e të tjerëve. Ne nuk po kërkojmë që propozimi ynë të bëhet i tyre. Unë besoj se duhet të respektohet propozimi i subjektit”, ka thënë Kurti.
Madje, ai ka ftuar partitë tjera që ta testojnë nëse i ka votat për qeveria.
“Ata nuk besojnë që unë nuk i kam 61 vota për kryeministër. Unë iu them atyre: ‘më testoni’. Nëse ata besojnë se Albin Kurti nuk i ka 61 vota të deputetëve për t’u bërë sërish kryeministër, e kanë në dorë të më sfidojnë. Le ta votojnë Albulenën dhe le të më testojnë mua. Nëse unë dështoj, pikërisht kjo do të ishte një fitore për ta. Nuk do të ishte fitore për ta duke e bllokuar Kuvendin dhe duke pamundësuar kuorumin”, ka deklaruar Kurti.