Devotshmëria, arma më e fortë e besimtarit – Dr. Musli Vërbani

516

Zgjohem në mëngjes, shoh rrezet e para të diellit që shndërrisin. E di se në mesditë dielli do të përcëllon, e unë nuk kam vend ku të freskohem, e të pushoj nën hije të ndonjë lisi apo peme. Nuk kam shtëpi ku do të hyj të pushoj, të qetësohem, e të mbrohem nga nxehti i thatë dhe nga vapa e madhe. Por së shpejti do të vjen vjeshta, atëherë do të jetë edhe më vështirë, sepse do të fryjë erë, do të bie shi, do të bëhet ftohtë, e unë si do t’i shpëtoj erës së fortë kur nuk kam vendstrehim?. Si do të terem nga shiu i cili bie në trupin tim kur më nuk është dielli por është shiu dhe i ftohti i cili depërton thellë në eshtrat e mia, thellë në palcën time?. Por edhe më vështirë do të jetë kur pas shiut dhe të ftohtit, vjen acari i dimrit, kur të bie bora mbi trupin tim të lagur, borë e cila nuk e mbulon trupin tim me jorgan të bardhë ashtu siç e mbulon tokën, sepse bora tokën e nxeh ndërsa trupin tim e ftohë edhe më shumë. Bora me acar të madh trupin tim të lagur do ta shtangoj edhe më shumë. E pas dimrit edhe pse do të vjen pranvera, për mua nuk do të jetë pranverë, sepse do të jem i sëmurë në shtrat, i shtrirë pa shtrat, por jo në spital, do të jem i sëmurë i shtrirë në shtratin e tokës, ku nuk do t’më vizitoj askush, nuk do t’më kontrolloj askush, e unë nuk mundem as të ngrihem në këmbë për të shkuar te mjeku, sepse nuk kam të holla për mjekim, sepse më ka kapluar varfëria e skajshme e cila shkon dhe troket vazhdimisht te dera e vdekjes. E vdekja më pret. Por si të shkoj te vdekja?. A jam përgatitur që së paku kur të hyj në derën e vdekjes të kem diçka me vete, që së paku ajo të më merr në gjirin e saj me ngrohtësi, e me ledhatim, e jo me ashpërsi e kërcënim, që vdekja të mos më shpjer te zjarri i xhehenemit, sepse zjarri i xhehenemit nuk është vend për t’u ngrohur, nuk është vend për të pushuar dhimbjet por është vend i cili i shton dhimbjet, ashtu që sa herë që bie lëkura nga i nxehti aq më shumë shtohen dhimbjet kur fillon të digjet lëkura tjetër?.

E di, jam mashtruar pas kësaj bote, në të më ka mashtruar shejtani me premtime të rrejshme, shejtani më mashtroi në këtë botë ashtu që të mos e përjetoj as këtë botë, e as të përfitoj botën tjetër. Fundja ai ka qenë i mallkuar, e edhe unë po e mallkoj, por para se ta mallkoj ai veç është larguar nga unë pasi që e ka realizuar qëllimin e tij. Ai është larguar por në hapësirën ku jetoj, ka jobesimtarë që nuk më duan, pasi që unë vetes i them besimtar, por besimi im në zemrën time nuk ka gjetur vend, por vetëm është sjell rreth e përqark trupit tim, vetëm ka qarkullua në mendjen time, vetëm ka tregua formalitetin tim, për këtë edhe munafiku (dyfytyrshi) herë më afrohet, e herë më largohet, ai me fjalë është i ëmbël si mjalti, e me vepër të helmon pa helm. Për t’i përballuar të gjitha këto vështirësi më duhet të mbledh tërë forcën time që kam në disponim, që të mbrohem nga nxehtësia e madhe, e nga i ftohti që shtangon, që të mbrohem nga shejtani, nga jobesimtari e hipokriti, që të mos më mashtroj kjo botë, por ta kem nën kontroll që t’i largoj mërzitë nga mendja ime, e të këndellem, pasi që mërzitë e mbysin njeriun, e për të ngadhënjye mbi mërzitë t’i kthehem besimit sepse pas një analize të thellë në vetvete, konkludova se: kodrat edhe pse janë të larta e të fuqishme, ato i shemb hekuri, por hekuri sado që është i fortë, atë e shkrinë zjarri, e zjarri sado që është i rrezikshëm, atë e fik uji, e ujin e bartin mjegullat, ndërsa mjegullat i bartë era, ndërsa njeriu është në gjendje ta mund erën kur të gjej vendstrehimin e duhur prej saj, ndërsa njeriun e mund gjumi (të fjeturit), ndërsa gjumin e mund mërzia, e mërzinë e mund besimi. Por pasi të bëhem besimtar i sinqertë, prapë paraqitet vështirësia tjetër, ku më rrethojnë besimtarët që ma kanë zili, e për tu mbrojtur prej tyre e kam mjetin më të fuqishëm devotshmërinë.

E di se e ngurta i nënshtrohet bimëve, e bimët iu nënshtrohen shtazëve, ndërsa e ngurta, bimët dhe shtazët, të gjitha këto i nënshtrohen njeriut, e njeriu duhet të jetë sundimtar në fytyrën e tokës dhe rob i nënshtruar vetëm ndaj Allahut Krijues e askujt tjetër. Nënshtrimi i plotë dhe robërimi i plotë ndaj Allahut më bën që ta kryej detyrën e jetës sime në këtë botë, detyrë për të cilën jam krijuar.

Comments