Diaspora nuk kthehet me fjalë, por me shtet funksional – Porosi për qeverinë e re të Kosovës
Autor: Prof. Dr. Muhamet Racaj
Thirrjet politike drejtuar diasporës për t’u kthyer në atdhe janë bërë refren i zakonshëm para çdo procesi zgjedhor. Ato tingëllojnë bukur në podiume dhe deklarata mediatike, por përballë realitetit të përditshëm mbeten fjalë pa peshë.
Sepse largimi i qytetarëve nga Maqedonia e Veriut, Kosova, Shqipëria dhe në përgjithësi nga Ballkani Përëndimor ishte akt vullnetar, as mungesë dashurie për vendin, por pasojë e drejtpërdrejtë e mungesës së një shteti funksional.
Pyetja themelore nuk është pse njerëzit u larguan, por çfarë i detyroi të largohen. A mund të pritet kthimi i një të riu që ka investuar vite studimi dhe përgatitjeje profesionale, për t’u përballur me paga minimale, kontrata të pasigurta dhe mungesë perspektive? A mund të ndërtojë jetë dinjitoze një mjek, mësues apo infermier, kur vlera e profesionit të tij matet me mbijetesë nga muaji në muaj?
Problemi nuk ndalet te paga. Kushtet e përgjithshme të jetesës janë bërë një faktor shtytës po aq i fuqishëm. Qytete të ndotura, planifikim urban i dështuar, shkatërrim i hapësirave të gjelbra dhe një mjedis që rrezikon shëndetin publik. Zhvillimi nuk ndërtohet me fasada politike dhe projekte propagandistike, por me politika reale që e vendosin qytetarin në qendër.
Një nga plagët më të rënda mbetet mungesa e drejtësisë funksionale. Në një shtet ku ligji nuk zbatohet njësoj për të gjithë, ku vendimet varen nga lidhjet personale dhe jo nga parimi i së drejtës, besimi i qytetarëve rrënohet. Pa drejtësi nuk ka siguri juridike, dhe pa siguri nuk ka as kthim të diasporës. Askush nuk kthehet për të jetuar në pasiguri dhe arbitraritet.
Veçanërisht alarmante është situata e mbrojtjes së grave dhe grupeve të cenueshme. Kur dhuna familjare relativizohet, kur viktimat shpërfillen dhe institucionet reagojnë vetëm pas tragjedive, shteti dështon në funksionin e tij më bazik: mbrojtjen e jetës dhe dinjitetit njerëzor. Kjo është një arsye e heshtur, por e fuqishme pse shumë familje zgjedhin largimin.
Një realitet i ngjashëm përballon edhe familjet me fëmijë me nevoja të veçanta. Mungesa e mbështetjes institucionale, infrastruktura e pamjaftueshme dhe politikat sociale jo funksionale i lënë këta prindër të vetëm përballë një sistemi indiferent. Këta fëmijë nuk kanë nevojë për mëshirë, por për politika serioze dhe të qëndrueshme.
Shteti modern nuk matet me retorikë patriotike, por me siguri energjetike, shërbime bazë funksionale dhe stabilitet jetësor. Nëse qytetarët jetojnë me frikën e ndërprerjeve të energjisë, ngrohjes apo shërbimeve elementare, problemi nuk është emigrimi – problemi është keqqeverisja.
Megjithatë, diaspora vazhdon ta përfaqësojë vendin me dinjitet jashtë kufijve. Pa mbështetje institucionale, ajo promovon gjuhën, kulturën dhe identitetin kombëtar, duke qenë shpesh ambasadorja më e sinqertë dhe më e besueshme e shtetit. Kjo diasporë nuk ka nevojë për thirrje boshe, por për politika konkrete që garantojnë kthim me dinjitet.
Prandaj, largimi nuk ishte braktisje e atdheut, por rezultat i një shtyrjeje sistematike nga një realitet pa perspektivë. Pyetja thelbësore për çdo qeveri që fiton zgjedhjet nuk është pse diaspora nuk kthehet, por kur do të krijohen kushtet që qytetarët të kthehen si njerëz me dinjitet – jo si fuqi punëtore e lirë dhe e shfrytëzueshme.
Kjo nuk është një prononcim sulmues politike, por një pasqyrë profesionale dhe njerëzore e realitetit që është injoruar për shumë kohë. Dhe çdo strategji serioze për kthimin e diasporës duhet të fillojë pikërisht nga pranimi i këtij realiteti. Vetëm atëherë, kthimi nuk do të jetë premtim elektoral, por zgjedhje e vetëdijshme qytetare.

