Ditëlindja e Goce Dellcevit trazon shpirtrat e bullgarëve dhe maqedonasve
Nuk kanë të ndalur reagimet e qytetarëve pas ngjarjeve të fundit që përkeqësuan raportet edhe ashtu të brishta Shkup-Sofje.
Nëpër rrjetet sociale përhapet nisma për roje nate të varrit të Goce Dellçevit kurse vërehen vetorganizime të qytetarëve për të ndaluar ardhjen e grupeve të organizuara nga Bullgaria më 4 Shkurt për të shënuar ditëlindjen e Goce Dellcevit.
“Thirrje për të gjithë patriotët! Ejani me kamionë, traktorë, vetura dhe maqineri tjetër dhe mbështesni protestën e 4 Shkurtit. Kumanovarë ju bëjmë thirrje në orën 09.00 ta bllokoni pikëpagesën rrugore drejt Shkupit. Të mos lejojmë që neo-nacistët bullgarë të pështyjnë në përkujtimin e të madhit Goce Dellçev” – thuhet në thirrjen që tashmë është bërë virale nëpër rrjetet sociale.
Paraprakisht, sic percjell KlanM, fondacioni bullgar “Makedonija” në faqen zyrtare në Facebook dje publikoi udhërrëfyesin për të gjithë bullgarët që do të donin të vijnë në Maqedoninë e Veriut.
Raportet e brishta RMV-Bullgari sërish u përkeqësuan pas incidentit në Ohër, kur ishte sulmuar fizikisht sekretari i një Klubi bullgar, si dhe pas disa deklaratave të politikanëve bullgar për pretendime territoriale por edhe aludime për attentat ndaj Presidentit Stevo Pendarovski.
“Pjesë e luftës hibride kundër Maqedonisë së Veriut është edhe rasti i fundit në Ohër, me rrahjen e Hristijan Pendikov, sekretar i klubit kulturor bullgar, i cili ka dëmtuar këto ditë marrëdhëniet e brishta maqedono-bullgare”.
Këtë sot e ka thënë ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski, në lidhje me ngjarjet e fundit në marrëdhëniet në mes Shkupit dhe Sofjes. Ai tha se janë të të njëjtit grup ata që rrahin dhe ata që rrihen.
“Njerëz të të njëjtit grup janë ata që rrahin dhe ata që rrihen. Kjo dëshmon atë luftë hibride. Çdo veprim inkriminues i ndërmarrë nga shteti reagon në këtë seksion dhe themi se në asnjë moment asnjë qytetar, pavarësisht përkatësisë kombëtare, fetare, politike apo çfarëdo lloji tjetër, nuk mund të sulmohet dhe keqtrajtohet fizikisht”.
“Shteti do ta kundërshtojë qartë këtë dhe do të marrë të njëjtat masa që po merr në këtë rast. Edhe pse përpiqen të na thonë se shteti nuk merr masa për ndonjë kategori të qytetarëve, se nuk bën hetime efikase, gjë që nuk është e vërtetë”, tha Spasovski.
Spasovski theksoi se zhvillimet e fundit janë pjesë e një skenari më të madh, pas të cilit qëndrojnë disa politikanë të papërgjegjshëm, të cilët, sipas tij, nuk duan të ketë marrëdhënie të mira në rajon.
Edhe lideri i ASH, Arben Taravari, ka bërë thirrje të veprohet me maturi dhe të qetësohen tensionet në marrëdhëniet mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, të cilat eskaluan pas incidenteve të padëshiruara në Ohër.
Duke theksuar se me vëmendje dhe shqetësim të madh i ndjekë këto ngjarje, Taravari përmes një postimi në Twitter, u bën thirrje institucioneve të RMV-së që të përmbahen nga deklaratat që çojnë në tensione të mëtejshme.
“I shqetësuar për rritjen e tensioneve politike midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. U bëj thirrje institucioneve tona që të përmbahen nga deklaratat që çojnë në tensione të mëtejshme dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive për të kontribuar në zbatimin e marrëveshjes për fqinjësi të mirë dhe integrimin evropian të vendit”, ka shkruar Taravari.