Donika Gërvalla kërkoi t’ia publikonin intervistën e plotë: Para 10 vitesh, Kadri Veselin e quante “kokë të një organizate që ka kryer krime”

92

Ministrja në detyrë e Jashtme, Donika Gërvalla, në një intervistë para disa ditësh, kërkonte t’i publikohej intervista e plotë e para 10 vitesh, ku e pranonte se do të dërgonte dosje në Gjykatën Speciale.

E kjo ndodhi. RTV Dukagjini mbrëmë publikoi intervistën e Donika Gërvallës në muajin prill të vitit 2016.

Aty, ajo që synon karrigen e postit të ministres së Drejtësisë, drejtonte akuza të rënda ndaj Hashim Thaçit e Kadri Veselit. Madje, këtë të fundit e quante “kokë të një organizate që ka kryer krime”.

“Kadri Veseli është ish-koka e një organizate që ka kryer krime të rënda ndaj kundërshtarëve politikë. Po të jetonim në shtet që funksionon gjyqësia, do të ishte kërkesë normale, po të mos ishte krimi i organizuar dhe korrupsioni në këtë shkallë, kjo është shumë e vështirë, hyp se të vrave, zhdryp se të preva”, thoshte Gërvalla.

Moderatorët e asaj kohe Fidan Rama e Ermal Panduri, insistojnë që Gërvalla të ofrojë fakte. Ajo thotë se ka disa zarfe në shtëpinë e saj në Bon.

“Keni fakte e dëshmi? Ndër faktet që përmendi janë faktet që përmenden në dokumentet e NATO-s. Unë nuk kam asnjë dëshmi rreth të cilës mund të flas në këtë emision pas rreziku se do të më paraqet në gjyq, kam dëshmi me shkrim në zarfe të mbyllura që janë paraqitur organeve të ndryshme. I kam personalisht në shtëpinë time në Bon”, deklaronte Gërvalla.

Gërvalla më pas e pranon se këto dokumente është e gatshme t’i dërgojë në Gjykatën Speciale të Hagës. Duke ditur se në atë kohë, Specialja veç sa u krijua, Gërvalla kërkonte që të pritej pak.

Ajo e pranonte se ka dërguar dokumentet në institucione që financojnë EULEX-in.

“I kam dërguar dikund. Unë jam juriste, aty ku e kam parë të arsyeshme për t’i dërguar. Jo në institucionet e Kosovës, dikund tjetër. Gjykata Speciale? Po, për disa prej tyre, po. Nuk kam mundësi t’i dërgoj, ka disa tema të ndara. Gjykata Speciale është temë e freskët, flas për dëshmi që në vazhdimësi gjatë këtyre viteve, Gjykata Speciale është muajve të fundit, ka institucione ndërkombëtare që në vazhdimësi, e financojnë EULEX-in, janë lajmëruar, njoftuar, dhe është kërkuar ndihma e tyre në hetimin e vrasjeve që SHIK-u ka bërë ndaj aktivistëve të LDK-së”, deklaronte ajo më tutje.

“Jo, Gjykata Speciale ende nuk është institucion të cilit qytetari mund t’i drejtohet”, thoshte Gërvalla.

Ajo sërish e konfirmonte se do t’i dërgonte këto dëshmi.

“Brenda mundësive që kam patjetër, do t’i dërgoj, se sa do të merren në konsideratë…Po, kam material, por për ta hequr iluzionin, nuk i kam vetëm unë, janë të ditura. Kam kërkuar mënyrë më të formalizuar, kam materialin, jo si të bisedojmë në kafe, dhe askush të mos mbajë përgjegjësi”, thoshte Donika Gërvalla.

Comments