Dorëzimi i Grubit ndez përplasje politike, akuza për marrëveshje dhe thirrje për proces të drejtë
Reagime të shumta politike për dorëzimin e Artan Grubit. Opozitarja LSDM këtë e quajti teatër me të cilin BDI-ja po e shpëton Mickoskin, duke akuzuar se arratisja dhe tani kthimi i ish-zëvendëskryeministrit janë bërë marrëveshje politike. Me këtë, sipas socialdemokratëve, shpërqendrohet vëmendja nga krimi dhe korrupsioni dhe mbeten pa përgjigje skandalet si ai me marihuanën.
“Siç u morën vesh që ta lirojnë, ashtu tani u morën vesh që të kthehet. Në këtë mënyrë VMRO me mbështetje nga BDI dëshiron ta mbulojë skandalin më të madh të narkotikëve me 5 ton drogë që çon deri në majën e Qeverisë së Mickoskit. Por edhe skandalet e shumta me tenderë kriminalë për të cilat më shumë se 80 ditë nuk ka asnjë përgjigje”, tha Bogdanka Kuzevska, zëdhënëse e LSDM-së.
Partia në pushtet VMRO-DPMNE u kundërpërgjigj duke thënë se LSDM është e nervozuar pasi Grubi tani mund të japë të dhëna për afera të zyrtarëve të qeverisë së kaluar.
“Informacione që mund të japin indice që e kanë bërë bashkërisht me Venko Filipçen, Oliver Spasovskin, Zoran Zaevin, Vice Zaevin, andaj nuk çuditemi që LSD vihet në mbrojtje të Artan Grubit, sepse duke e mbrojtur, mundohen të shpëtojnë veten nga krimet i kanë bërë bashkë”, tha Brane Petrushevski, VMRO-DPMNE.
Me reagim doli edhe koalicioni VLEN, duke thënë se më në fund u dorëzua kutia e zezë e qeverisjes së BDI-së, pasi siç shtojnë, Grubi është pjesëmarrës dhe ekzekutor i të gjitha marrëveshjeve të errëta të BDI-së.
“Prandaj, BDI po dridhet nga frika se nuk e dinë se për çfarë është gati të flasë Artan Grubi. Pasi BDI humbi në mënyrë katastrofale në zgjedhjet lokale dhe të gjitha premtimet e rreme të Ahmetit për zgjedhje të parakohshme dhe hyrje të supozuar në qeveri dështuan, Artani nuk ka zgjidhje tjetër veçse të përballet me mëkatet e veta. Por cilin do ta ngreh me vehte, mbetet për t’u parë”, thonë nga VLEN.
Partia nga e cila vinte Grubi, BDI, e vlerësoi pozitivisht vendimin për t’u kthyer në vend, ndërkaq kërkojnë që të krijohet mundësi për një proces transparent dhe të paanshëm.
“Presim që procesi të zhvillohet në përputhje me standardet më të larta të sundimit të ligjit: para së gjithash, me një nivel të lartë transparence, në përputhje me interesin publik; por mbi të gjitha, me respektim të plotë të prezumimit të pafajësisë dhe me mbrojtje të të drejtave dhe lirive individuale”, thonë nga BDI.
Integristët përfundojnë duke thënë se mbeten të palëkundur në qëndrimin se drejtësia duhet të jetë e barabartë për të gjithë, pa selektivitet, pa standarde të dyfishta dhe pa ndikime politike.

