Dorëzohet në Kuvend propozim-ligji për ratifikimin e Protokollit për në NATO

Nuk dihet fati i nismës së Qeverisë për ratifikim të parakohshëm, respektivisht të kushtëzuar të Marrëveshjes përfundimtare për anëtarësim në NATO. Nga Kuvendi konfirmojnë se dokumenti i miratuar nga Qeveria ka arritur në Kuvend, por nuk ka të dhëna se kur kryparlamentari do ta vendosë në rend dite. Procedura kërkon miratimin e saj në Kuvend, ndërsa parashikohet të hyjë në fuqi pasi të botohet në Gazetën Zyrtare. Ligji më pas do të depozitohet në Uashington, por pasi Spanja ta ratifikojë Protokollin e aderimit të vendit në Aleancë. Idenë për ratifikim të parakohshëm të Protokollit përfundimtar e para e plasoi VMRO DPMNE-ja opozitare bazuar në shembullin e Malit të Zi, e cila vetë e ratifikoi Protokollin në prill të vitit 2017, ndërsa Spanja e Holanda e ratifikuan një muaj më vonë. Nga kjo parti sot deklaruan se do ta shqyrtojnë përputhshmërinë e nismës së qeverisë dhe nismës së tyre dhe pastaj do të ndërtojnë qëndrim se si do të votojnë.
Do ta shohim se çfarë ka brenda. Le të kalojë në filtrat e komisioneve dhe shërbimet që janë këtu që të mund të shohim a përputhet me atë që kemi propozuar ne- tha Naum Stoilkovski, VMRO DPMNE.
Nisma paraprake e VMRO-së ishte kundërshtuar nga kryeparlamentari, Xhaferi i cili ka thënë se propozimet për marrëveshje ndërkombëtare janë e drejtë ekskluzive e ekzekutivit. Ratifikimi i parakohshëm i Protokollit përfundimtar, që sipas procedurës së rregullt do të duhej të vijonte pas ratifikimit të Protokollit nga të gjitha shtetet anëtare, vjen në shprehje për shkak të rrezikut që ratifikimi në Spanjë nuk do të ndodhë para 11 shkurtit, kur do të shpërndahet Kuvendi i Shkupit. Ndër opsionet tjera për të mos rrezikuar prolongimin e ratifikimit të Marrëveshjes përfundimtare për anëtarësim ishte edhe thirrja eventuale e seancës kuvendore pas shpërndarjes, por kryeparlamentari Xhaferi kishte refuzuar një gjë të tillë.
Anesa Salihu