Dosja e Shefave XXI: Grabovci kryente punë për gjithçka, edhe për ngritjen akademike (Audio)



Pesë biseda të reja telefonike, dëshmojnë edhe më tej implikimin e Adem Grabovcit në veprime tashmë të dyshuara penale. Me veprimet e tij të dëshmuara me biseda telefonike, Grabovci shfaq hapur ndikimin gjithandej.
Armend Kelmendi planifikonte ngritje akademike. Por, për të arritur këtë, i duhej ndihma e Adem Grabovcit.
Kelmendi i kishte telefonuar ish-shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së për ta ndihmuar që të regjistronte studimet pasdiplomike në Universitetin e Prishtinës që drejtohej nga Mujë Rugova. Muja ishte nën kontrollin e plotë të Grabovcit.
Megjithatë, Grabovci nuk i kishte premtuar Kelmendit se do ta ndihmonte. I kishte thënë se është i zënë dhe se do të bisedonin një javë më vonë.
Në serinë e XXI-të të Dosjes së Shefave, Insajderi sjell pesë biseda tjera telefonike të Adem Grabovcit, me persona jopublik. Atij, i kërkohet ndihmë për gjithçka. Mirëpo, Grabovci fokusin kryesor e ka në sistemimin e njerëzve të partisë së tij në institucione shtetërore.
Më së shumti, Grabovci interesohet për Arbreshën. I telefonon një zyrtari për ta pyetur se a ka konkurruar ajo. Jep udhëzime për zgjedhjen e saj në Bordin e një institucioni që nuk i përmendet emri.