Dronët luftarakë”SkyDagger 15″ në Shërbim të FSK-së

Prof. Dr.Muhamet Racaj,
Universiteti “Nënë Tereza”,Shkup
Hyrje
Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK) janë furnizuar me një kontingjent të madh dronësh luftarakë kamikaz të modelit “SkyDagger 15”, një prodhim i njohur turk. Kontrata me kompaninë Baykar, kompania amë e prodhuesit Skydagger, u nënshkrua në dhjetor të vitit 2024, ndërsa dorëzimi i dronëve ishte parashikuar për janar 2026, por ky operacion u realizua tre muaj më herët. Dhjetëra ushtarakë të FSK-së tashmë janë trajnuar për përdorimin e këtyre dronëve kamikaz, të fuqishëm dhe të përshtatshëm për goditjen e objektivave lëvizëse dhe statike në terren¹.Kjo blerje përkujdes për forcimin e flotës së FSK-së me mjete të avancuara teknologjike ushtarake dhe është pjesë e një procesi të vazhdueshëm për të rritur kapacitetin goditës dhe aftësinë taktike, duke bashkëpunuar në mënyrë komplementare me dronët Bayraktar TB2 dhe dronët Puma¹.
“SkyDagger 15” është një dron luftarak modern i projektuar për misione taktike dhe operacione inteligjence në fushëbetejë. Ky dron përfaqëson një teknologji të avancuar që kombinojnë manovrabilitetin, fleksibilitetin dhe fuqinë operacionale për të mbështetur forcat e armatosura në një gamë të gjerë situatash. Artikulli shqyrton dedikimin, karakteristikat luftarake dhe teknike, pjesët kryesore, krahasimin me dronët ndërkombëtarë, si dhe aspektet e autonomisë dhe sigurisë së komunikimit të këtij droni.
1. Dedikimi
Droni luftarak “SkyDagger 15” është i dedikuar kryesisht për misione taktike dhe operacione inteligjente në fushëbetejë. Ai përdoret për mbledhjen e inteligjencës nga ajri, vrojtimin e objektivave armikë në kohë reale, transportin e pajisjeve të vogla në zona të paarritshme, si dhe për operacione sulmesh precize si dron kamikaz (loitering munition). Kjo e bën atë një mjet të domosdoshëm në arsenal për forcat e armatosura, veçanërisht në operacione të shkurtra dhe urgjente².
2. Karakteristikat Luftarake
“SkyDagger 15” karakterizohet nga manovrabiliteti i lartë dhe stabiliteti edhe në kushte atmosferike të vështira, gjë që e bën të përshtatshëm për përdorim në terrene të ndryshme dhe situata kompleksë. Ai arrin rezultate të shkëlqyera në misione të shkurtër taktike, ku nevojitet reagim i shpejtë dhe goditje e saktë. Në varësi të misionit, mund të pajiset me sensorë të ndryshëm gjeolokues dhe kamera me rezolucion të lartë, si dhe me municione të dedikuara për goditje efektive. Ky dron mund të përdoret në operacione të vrojtimit të zonave armike, kërkim-shpëtimit, inspektimit të infrastrukturës kritike dhe sulmeve të precizizuara³.
3. Karakteristikat Teknike
● Koha maksimale e fluturimit pa ngarkesë: deri në 36 minuta.
● Koha e fluturimit me ngarkesë maksimale prej 5 kilogramësh: deri në 14 minuta.
● Rreze maksimale e veprimit: 10 kilometra.Shpejtësia maksimale: 130 km/h.
● Kapaciteti maksimal i ngarkesës: 5 kilogramë.
● Pesha totale pa ngarkesë është e lehtë, duke mundësuar manovrabilitet dhe lëvizshmëri të lehtë në terren²,³.
4. Pjesët Kryesore
“SkyDagger 15” përbëhet nga komponentë të avancuar teknologjikë, përfshirë:
● Sistem avionik të integruar,
● Sensorë gjeolokues dhe kamera me rezolucion të lartë,
● Motorë elektrikë me efikasitet të lartë,
● Bateri me kapacitet të mirë për kohëzgjatje të madhe,
● Sistemi i komunikimit të enkriptuar për siguri dhe besueshmëri,
● Sistemi i mbajtës së ngarkesës, i cili është modular dhe mund të përshtatet për municione ose pajisje të tjera operative².
5. Krahasimi me Dronet e Ngjashëm Ndërkombëtarë
Në krahasim me dronët e ngjashëm ndërkombëtarë, “SkyDagger 15” është një dron i fokusuar në operacione taktike me kosto relativisht të ulët dhe kapacitet të mirë ngarkese. Ai karakterizohet nga kohë e përshtatshme fluturimi për misione të shkurtra dhe mesatare, rreze veprimi e konsiderueshme dhe shpejtësi e lartë, duke e bërë atë optimal për misione taktike, patrulla dhe sulme të shpejta.
Nga ana tjetër, Bayraktar TB2, gjithashtu turk, ka kohë shumë më të gjatë fluturimi që arrin deri në 27 orë, kapacitet armësh shumë më të madh dhe rreze veprimi shumë më të gjërë (150-300 km), i cili e bën atë të përshtatshëm për operacione strategjike, mbikëqyrje afatgjatë dhe goditje në thellësi të territorit armik³.
Një tjetër krahasim vjen me dronin kinez CW-15, i cili i shfrytëzon teknologjitë e nisjes dhe uljes vertikale (VTOL) për të siguruar kohë të gjatë fluturimi deri në 180 minuta dhe përdorim në terrene të vështira, edhe pse kapaciteti i ngarkesës së tij është më i ulët dhe shpejtësia maksimale ndërmjetëse krahasuar me SkyDagger 15 dhe Bayraktar TB2⁴,⁵.
Kështu, SkyDagger 15 zë një vend unik në klasifikimin e dronëve ushtarakë duke ofruar një kombinim të mirë performancash, fleksibiliteti dhe kostoje efektive për nevoja taktike dhe operacionale.
6. Si ndryshon autonomia dhe siguria e komunikimit të tij
Autonomia e fluturimit të SkyDagger 15 është e përshtatur për operacione taktike me kufizime në distancë dhe kohë, duke ofruar 36 minuta fluturim pa ngarkesë dhe 14 minuta me ngarkesë maksimale prej 5 kilogramësh. Kjo periudhë lejon kryerjen e misioneve taktike, patrullave apo goditjeve të shpejta në terren.
Në aspektin e sigurisë së komunikimit, SkyDagger 15 përdor teknologji moderne të enkriptimit për të siguruar rujtejn dhe integritetin e të dhënave gjatë komunikimit midis dronit dhe operatorit.
Ai bazohet në kombinimin e algoritmit të shkëmbimit të çelësave Diffie-Hellman dhe HMAC për autentifikim dhe integritet, duke e mbrojtur nga sulmet e ndërhyrjeve në rrjet, si sulmet Man-in-the-Middle.
Për më tepër, përdoren frekuenca të ndryshme (2.4 GHz për kontroll manual dhe 433/915 MHz për telemetri) me modulime dhe sisteme që minimizojnë interferencat, rrisin sigurinë dhe e bëjnë komunikimin më të besueshëm gjatë misioneve⁶,⁷.
Përfundim
Droni luftarak “SkyDagger 15” në dispozicion të Forcave të Sigurisë së Kosovës është një pajisje thelbësore për modernizimin dhe fuqizimin e kapaciteteve operative taktike. Ai plotëson nevojat për misione taktike të shkurtra dhe mesatare, duke ofruar stabilitet, shpejtësi, saktësi dhe siguri të komunikimit. Në kombinim me dronë të tjerë si Bayraktar TB2 dhe Puma, ajo kontribuon në ndërtimin e një force të përgatitur mirë ndaj sfidave bashkëkohore të sigurisë dhe mbrojtjes.
Literatura e Shfrytëzuar:
¹ Telegrafi.com, “FSK është pajisur me dronë kamikaz Skydagger,” 2025.
² SkyDagger.com, “SKYDAGGER RTF 15 Technical Specifications,” 2025.
³ Wikipedia.org, “Baykar Bayraktar TB2,” 2019.
⁴ Jouav.com, “CW-15 Multi-purpose and long endurance VTOL drone,” 2023.
⁵ Marids.es, “Explore the Features of the CW-15 Multi-purpose VTOL Drone,” 2025.
⁶ ArXiv.org, “Securing UAV Communication: Authentication and Integrity,” 2023.
⁷ YouTube.com, “Drone Communication,” 2025.