Dyfytyrësia e VV-së: Për mosanëtarësim në INTERPOL e kërkonte dorëheqjen e Qeverisë Haradinaj, për dështim në KiE hesht

177

Për dështimin e Kosovës në Këshill të Evropës duket se askush prej Qeverisë së Kosovës nuk do të merr përgjegjësi. Ndonëse ishte një hap larg anëtarësimin në këtë organizatë, Kosova nuk ia ka arritur qëllimit. Kjo për faktin se Qeveria Kurti nuk kishte arritur t`i binde aleatët ta heqin kushtin e fundit për anëtarësim.

Pavarësisht këtij dështimi historik, askush deri me tani nuk e ka paralajmëruar dorëheqjen. Kryeministri Albin Kurti ende nuk ka folur për këtë temë, ndërsa, kryediplomatja Donika Gërvalla, ka bërë një reagim në “Facebook”.

Por, krejt ndryshe sillej Albin Kurti dhe VV-ja kur ishin në opozitë.

Për dështime në procese të tilla ata akuzonin rendë qeveritë e kohës dhe kërkonin dorëheqjen e tyre.

Pas dështimit të Kosovës që të anëtarësohej në INTERPOL, në vitin 20218, Albin Kurti kishte drejtuar akuza të ashpra ndaj liderëve institucionalë të kohës.

Në një status në profilin e tij në “Facebook”, ai kishte shkruar se Hashm Thaçi dhe Behgjet Pacolli as nuk dinë dhe as nuk duan të përgatiten për procese të tilla.

“Pas dështimit për anëtarësim në UNESCO, Kosova dështoi për t’u anëtarësuar edhe në INTERPOL. Me këta njerëz të njëjtë që na përfaqësojnë dhe prijnë me shtetin nuk mund të kemi rezultate të tjera. Në këtë dështim kishte gjithçka përveç rastësisë. As nuk dinë dhe as nuk duan të përgatiten. Nuk shkojnë jashtë vendit si zyrtarë të përgjegjshëm të shtetit tonë por si personalitete të shoë-biz-it ndërkombëtar siç e imagjinojnë veten. Thaçi e Pacolli nuk ishin në Konferencën për INTERPOL në Dubai. Thjesht, ata ishin vetëm në Dubai. Serbia dhe Rusia e bënë punën e tyre shoviniste ashtu qysh i kemi njohur gjithmonë, por këta dy punën e kujt e bënë?”, kishte shkruar Kurti, në nëntor të vitit 2018.

Edhe më e ashpër kishte qenë Fitore Pacolli, e cila tani është deputete e partisë në pushtet.

Pas dështimit të anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL, ajo kishte kërkuar dorëheqjen e gjithë Qeverisë Haradinaj.

“Kryeministër, jep dorëheqje sot mos e le për nesër. Merri me vete edhe Ministrat e zv. Ministrat. Sa më shpejt aq më mirë për Kosovën dhe qytetarët. #Dorëheqje”, ka shkruar Pacolli në profilin e saj në “Facebook”.

Kanë kaluar 24 orë nga mbajtja e takimit të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, ku anëtarësimi i Kosovës nuk ishte futur fare në agjendë, dhe as Kurti e as deputetja Pacolli nuk e kanë thënë asnjë fjalë.

E vetja zyrtare qeveritare që ka folur për këtë dështim ka qenë kryediplomatja Donika Gërvalla.

Në reagimin e saj në “Facebook”, ajo ka fajësuar aleatët që ia kanë mbajtur anën Serbisë.

“Megjithatë, në vend të Opinionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe një propozimi të arsyeshëm e serioz nga Qeveria e Kosovës, disa vende anëtare zgjodhën t’i dalin në krah padrejtësive dhe t’i japin mbështetje fushatës lobuese të Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës, duke privuar kështu qytetarët e Republikës së Kosovës nga të drejtat dhe mundësitë që ofrojnë mekanizmat e kësaj organizate, veçanërisht për komunitetet e pakicës etnike dhe komunitetet e tjera të margjinalizuara”, ka shkruar Gërvalla në profilin e saj në “Facebook”.

Statusin i shefes së diplomacisë është shpërndarë nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislmi, shefi i Kabinetit të Kryeministrit, Luan Dalipi dhe disa zyrtarë tjerë qeveritarë.

Ndërsa, zëdhënësit të VV-së, Arlind Manxhuka, i kanë penguar kritikat e opozitës për këtë çështje. Në një status të tij në “Facebook”, ai ka fajësuar edhe partitë opozitare, duke thënë se janë pjesë e problemit.

“Sot u mor një vendim i padrejtë ndaj Kosovës, jo vetëm Qeverisë. Siç tha ministrja Gërvalla, nuk kemi lënë gur pa lëvizur, gjithnjë përbrenda kushtetutshmërisë e ligjshmërisë, për interesin e Kosovës. Propozimet tona për ta tejkaluar këtë ngërç siç ka thënë edhe Kryeministri janë përbrenda 3 shtyllave, pra përbrenda kushtetushmërisë dhe ligjeve aktuale. E Serbia kërkon diçka përtej tyre. Ajo po e kërkon 2013 dhe 2015, jo 2022 e as 2024”, ka shkruar Manxhuka.

Lëvizja Vetëvendosje kishte kërkuar përgjegjësi politike dhe nga Qeveria Mustafa, e cila kishte dështuar të anëtarësonte Republikën e Kosovës në UNESCO, në vitin 2015.

Comments