
Pas publikimit të informacionit nga kompania gjermane” B.S.B Aviation”, për shpalljen e konkursit shpallur konkurs për 2 mijë punëtorë, të mërkurën qyteti i Prizrenit është bllokuar nga numri i madh i aplikantëve të cilët kanë shprehur interesimin për t’u punësuar në Gjermani. Mijëra qytetarë nga tërë Kosova, të mërkurën ia kishin mësyrë Prizrenit, ku është mbajtur një takim informues nga kompania gjermane ” B.S.B Aviation”, e cila ka shpallur konkurs për punësim në Gjermani të 2 mijë personave nga Kosova.

Salla e shtëpisë së kulturës dhe hapësirat e jashtme , ishin të mbushura nga të rinjë , të cilët kishin shprehur interesim për të aplikuar në këtë konkurs.Studentja Arta Smajlaj, nga Gelanca e Suharekës, thotë se ajo ka shprehur interesim për shkollim dhe punësim në Gjermani, për shkak të mungesës së perspektivës për rininë e arsimuar në Kosovë. Arif Osmanaj, kishte ardhur nga Gjakova, për t’u interesuar rreth këtij konkursi. Ai thotë se arsyet për largim nga Kosova, janë kryesisht të motiveve ekonomike, përkundër faktit se ai herë pas here punon në sektorin privat. Ndërkaq, Fadil Hysaj, ishte në shoqëri të djalit të tij, dhe thotë se është e dhimbshme që të rinjtë tanë po largohen nga vendlindja, për një jetë më të mirë në shtetet e huaja. Të interesuarit për punësim në Gjermani, janë informuar për procedurat e aplikimit i cili fillon zyrtarisht nga data 5 Nëntor, kanë njoftuar përfaqësues të kompanisë gjermane ” B.S.B Aviation”.