E mori zvarrë makina pas përplasjes me autobusin, policia arreston dy persona për aksidentin në Durrës
Mbrëmjen e djeshme një aksident tragjik dhe për më tepër misterioz ndodhi në afërsi të hyrjes së qytetit të Durrësit. Një autobus përplasi një motorist picash, 25 vjeçarin me inicialet R.B. ky i fundit më tutje u mor përpara nga një makinë e tipit fuoristradë, e cila e lëvizi trupin e të ndjerit disa metra larg nga vendi ku ndodhi fillimisht aksidenti me autobusin. Por ajo që mbetet misterioze nga ky aksident është fakti se nga kamerat e sigurisë dukej sikur makina e kishte marrë në bord trupin e viktimës dhe më pas e kishte hedhur në rrethrrotullimin ku ndodhet dhe ura e Dajlanit.
Policia ka njoftuar këtë të dielë se ka vënë në pranga drejtuesin e autobusit si dhe atë të mjetit fuoristradë, por ende nuk është sqaruar në detaje nëse trupi i të riut është hedhur apo thjeshte është marrë zvarrë nga fuoristrada.
Njoftimi i Policisë:
Në lidhje me aksidentin e ndodhur mbrëmjen e datës 26.10.2019 në aksin rrugor “Tiranë-Durrës”, si pasojë e të cilit humbi jetën një shtetas, në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë zbardhja dhe dokumentimi i plotë i ngjarjes si dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
– F. T., 54 vjeç, banues në Tiranë;
– P. T., 49 vjeç, banues në Krujë.
Arrestimi i tyre u bë për shkak se në autostradën “Tiranë-Durrës”, tek mbikalimi i këmbësorëve në Shkozet, mjeti tip “Fiat Dukato” që drejtohej nga shtetasi F. T., dhe mjeti autobuz tip “Skania” që drejtohet nga shtetasi P. T., janë përplasur me motorin tip “Dajang”, me drejtues shtetasin R. B., 25 vjeç, banues në Durrës, i cili ka ndërruar jetë.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprën penale ” Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.