Ekitike lëndohet rëndë, në dyshim për Kupën e Botës
Ëndrra e Hugo Ekitikës për në Kupën e Botës është në dyshim.
Sulmuesi francez ka pësuar një lëndim të rëndë mbrëmë, gjatë ndeshjes mes Liverpulit dhe PSG-së, shkruan IndeksOnline.
23-vjeçari u largua me barelë nga loja, pas vetëm gjysmë ore lojë.
Kur kanë mbetur edhe tetë javë nga fillimi i Kupës së Botës, duket se lëndimi i tij është serioz dhe rikuperimi do të marrë kohë.
Sulmuesi i Liverpulit, në momentin e lëndimit bëri me gisht tendinin e Akilit, lëndim ky i cili mund të përfundojë para kohe sezonin.
Rikuperimi nga një lëndim i tillë zgjatë nga 4 deri në 12 muaj për sportistët.
Pas ndeshjes me PSG-në, shoku i tij i skuadrës, Ibrahima Konate, tha se lëndimi i Ekitikës është i rëndë.
“Jam shumë i trishtuar për të dhe shpresoj se do të kthehet. Mendoj se është keq. Nuk e di. Kam dëgjuar shumë gjëra. Me Kupën e Botës, të gjitha gjërat që vijnë këtë verë, është shumë e vështirë për të në këtë moment”, deklaroi Konate.
Derisa trajneri i Liverpulit, Arne Slot, tha se duhet pritur për rezultatet mjekësore.
“Duket shumë keq, por e vështirë për mua të them se sa keq është. Nesër, do ta hetojmë më tej këtë. Le ta shohim, por nuk duket mirë. Humbja e një lojtari është diçka që e kemi pasur shumë herë këtë sezon, por është veçanërisht e vështirë për të sepse nuk do të doje kurrë të lëndoheshe, veçanërisht në këtë kohë të sezonit”, deklaroi Slot.
Hugo Ekitike po kalon një sezon fantastik dhe pritet të ishte pjesë e Francës për Kupën e Botës, por ky lëndim e vë në dyshim pjesëmarrjen në këtë event./IndeksOnline/

