Ekskluzive: “Nuk jam më VV!”. Aktivistët në Zvicër shpërthejnë kundër Kurtit pas mospropozimit të Vjosa Osmanit (foto)

284

Pakënaqësi dhe reagime të forta janë shfaqur brenda radhëve të mbështetësve të Lëvizjes Vetëvendosje në diasporë, pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk e ka propozuar Vjosa Osmani për një mandat të ri në postin e presidentes.

Në një grup në WhatsApp me qindra anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje në Zvicër, sipas mesazheve të publikuara që ka siguruar “Fakti Ditor”, disa aktivistë kanë shprehur zhgënjim të thellë me këtë vendim dhe kanë njoftuar largimin e tyre nga strukturat dhe aktivitetet e lëvizjes.

Disa prej tyre kanë deklaruar se po japin dorëheqje nga të gjitha funksionet brenda Vetëvendosjes dhe po largohen edhe nga grupet e komunikimit të aktivistëve.

Njëri prej aktivistëve, i cili thotë se është pjesë e lëvizjes që nga viti 2007, ka reaguar ashpër në mesazhin e tij të lamtumirës.

“Nuk jam ma VV edhe nuk qes votë ne kete parti sot e tutje. Sa te muj kam me ushtru ndikimin tem tek njerzit qe i njoh

qe mos me votu VV. Mos harroni se prej 2007 jam aktivist edhe perkrahes i VV-s. T’mire mbetshi. Edhe une tërhiqem. Gjitha të mirat”, ka shkruar aktivisti i VV-së, tashmë i dorëhequr.

Pakënaqësi të ngjashme ka shprehur edhe një aktiviste tjetër në grup, e cila e ka cilësuar si gabim vendimin e kryeministrit.

“Gabim trashanik ka bo Albin Kurti që nuk e propozoj Vjosën. Une jam demoralizu me kete gja”, ka shkruar ajo.

Largimin nga grupi e ka konfirmuar edhe një anëtar tjetër, i cili në mesazhin e tij të fundit u ka uruar shëndet pjesëtarëve të tjerë.

“Edhe une ju pershendes dhe ju uroj shendet te gjithve. Edhe une Terhiqemi nga VV edhe nga Grupi.”

Reagimet e publikuara në këtë grup tregojnë për një pakënaqësi të hapur mes një pjese të aktivistëve të Vetëvendosjes në diasporë, veçanërisht lidhur me vendimin për të mos e propozuar presidenten aktuale për një mandat të ri.

Në ditët e fundit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar disa takime me krerë të partive opozitare në përpjekje për të gjetur konsensus për zgjedhjen e presidentit të ri. Megjithatë, sipas burimeve politike, në asnjërin prej këtyre takimeve nuk është përmendur emri i presidentes aktuale, Vjosa Osmani, për një mandat të ri. Madje, gjatë ditës së sotme Kurti ka propozuar si kandidat për president Glauk Konjufca, aktualisht ministër i Jashtëm i Kosovës. Kujtojmë se 5 marsi është afati i fundit kushtetues brenda të cilit Kosova duhet të zgjedhë presidentin e ri./ Fakti Ditor.

Comments