Erdogan: Netanyahu është kërcënimi më i madh për sigurinë në Lindjen e Mesme

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka deklaruar se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu përbën “kërcënimin më të madh” për sigurinë në Lindjen e Mesme. Deklarata u bë gjatë një bisede telefonike me Emirin e Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al-Thani, dhe u shpërnda përmes një postimi nga Presidenca turke në rrjetin social X.
“Netanyahu ka treguar edhe një herë se është kërcënimi më i madh për sigurinë e rajonit”, citohet të ketë thënë Erdogan gjatë bisedës me udhëheqësin e Katarit.

Sipas postimit zyrtar, Erdogan ka nënvizuar se është angazhuar në kontakte intensive diplomatike lidhur me përplasjet e shkaktuara nga sulmet izraelite ndaj Iranit, duke theksuar se do të vazhdojë përpjekjet për t’i dhënë fund spirales së dhunës në rajon.
Presidenti turk theksoi gjithashtu se sulmet izraelite nuk duhet të shpërqendrojnë vëmendjen nga kriza humanitare dhe aktet që ai i quan gjenocid në Gaza. Ai paralajmëroi se incidentet nuk duhet të lejohen të përfshijnë edhe Sirinë, duke shtuar rrezikun për një konflikt më të gjerë rajonal.
Që nga fillimi i luftës së Izraelit në Gaza, Erdogan ka qenë një nga kritikët më të ashpër dhe të zëshëm të Izraelit në skenën ndërkombëtare, duke e akuzuar shpesh si një “shtet terrorist” dhe duke krahasuar Netanyahun me Hitlerin.