“Faleminderit Adem Jasharit”-Nxënësit mësojnë për krimet e Serbisë në Kosovë, luten për paqen në botë

51

Për ngjarjen dhe krimin më tronditës që ndodhi 27 vjet më parë në Reçak mbi popullin e pafajshëm shqiptar nga regjimi serb që udhëhiqej nga Sllobodan Millosheviqi, u ligjërua në orën e parë të mësimit në gjitha shkollat e Kosovës.

Agjencia e lajmeve Ekonomia Online ka vizituar Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Xhemajl Mustafa”, nxënësit e të cilës shkollë folën për luftën në Kosovë, e ku falënderuan komandantin legjendar Adem Jashari dhe familjen e tij dhe gjithë atyre që para jetës së tyre, zgjodhën lirinë dhe pavarësinë e shtetit të Kosovës.

Nxënësja Atika Hetemi teksa foli për luftën, dëshirën e saj ka që të tilla luftëra të mos ndodhin askund në botë.

“Sot do të flas për luftën që ka ndodhur në Kosovë, sot do të tregoj për luftën në Kosovë, që e kemi pasur me Serbinë. Së pari do ta falënderoj shumë familjen Jashari dhe Adem Jasharin heroin tonë që na shpëtoi. Sot do të festojmë sepse jemi në paqe dhe të jemi të lumtur me atë që kemi, dhe shpresoj që më lufta në botë nuk do të ketë”, theksoi Hetemi.

Nxënësi tjetër, Mat Namani vlerësoi lartë rëndësinë e paqes, duke thënë se masakrat dhe vuajtjet e së kaluarës duhet të kujtohen për të mos u përsëritur kurrë.

“Paqja është shumë e rëndësishme për ne sepse pa paqe nuk ka jetë të mirë, ne nuk duhet të kemi luftë sepse ne që 200 vite kemi qenë nën mbajtjen e otomanëve dhe serbëve, duhet të falënderojmë zotit që më nuk jemi në luftë, por jemi në paqe. Duhet me i kujtua të gjitha masakrat që kemi pasur dhe me falënderua familjen Jashari për heroit që kanë pasur dhe që na ka mbrojtur ne”, potencoi Namani.

Në fund të aktivitetit, nxënësit interpretuan këngë patriotike, duke i dhënë kështu një mesazh uniteti, kujtese dhe shprese kësaj dite përkujtimore.

E mësuesja Violeta Hyseni theksoi se Masakra e Reçakut ishte një ngjarje shumë e rëndë, është me rëndësi të veçantë që fëmijët të informohen, në mënyrë që historia të përcillet nga gjenerata në gjeneratë dhe të mos harrohet kurrë.

“Pikërisht në këtë datë si çdo vit shënohet masakra e Reçakut edhe në shkollën tonë organizohen aktivitete edukative-arsimore, duke u bazuar me moshën e fëmijëve, cikli një deri në pesë e kemi pasur të arsyeshme ne si mësimdhënës klasat e katërta dhe të pesta bashkë me nxënësit përgatisim projekte në mënyrën më të butë. Ajo ka qenë një masakër shumë e madhe që ka ndodhur në vendin tonë mirëpo rëndësi e veçantë është që nxënësit të informohen edhe pse janë të vegjël, të informohen në mënyra të ndryshme dhe e gjen atë strategjinë se si të informojnë të jetë kjo e vazhdueshme dhe të përcillen gjeneratë pas gjenerate dhe të mos harrohet historia jonë. Edhe në lëndën e shoqëri mjedis vetëm përmendet në pika të shkurta, ne si mësimdhënës e kemi obligim që të përcjellim ato informata, mirëpo rol kyç luajnë edhe prindërit ku shumica e prindërve vetëm diskutojnë me fëmijët e tyre edhe në fëmijë ju tregojnë për historinë e lavdishme të vendit tonë, fatmirësisht fëmijët tanë kanë informata bazë për historinë e popullit shqiptar”, ka deklaruar Hyseni.

Comments