Fatmir Izairi braktis BDI-në

59

Ish-kryetari i Komunës së Zhelinës nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Fatmir Izairi, ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit brenda partisë, duke ngritur shqetësime për drejtimin politik dhe përbërjen aktuale të strukturave udhëheqëse.

Duke iu referuar një shkrimi të tij të vitit 2016, Izairi vlerëson se e njëjta problematikë vazhdon të mbetet aktuale edhe sot. Sipas tij, “kjo mungesë e mendimit racional burimin e ka ose te mungesa e ndryshimeve, ose te ndryshimet që ndodhën në strukturën e ekzekutivit të BDI-së”, njofton TS.

Ai thekson se zhvillimet e fundit e kanë rikthyer dilemën për të ardhmen e partisë. “Edhe sot, zhvillimet e fundit në BDI përpara vetes e shtrojnë dilemën: të jesh apo të mos jesh më tutje,” shprehet Izairi.

Sipas tij, ndonëse largimi i një individi nuk është domethënës për ta dëmtuar partinë, problemi kryesor është humbja e identitetit politik. “Ka një kohë të konsiderueshme që BDI-ja nuk identifikohet më në trungun e saj dhe, përveç kryetarit dhe disa të tjerëve përreth, është uzurpuar nga persona të partive të tjera politike,” deklaron ai.

Izairi shton se një pjesë e anëtarësisë ka qëndruar besnike ndaj vendimeve të kryetarit, pavarësisht pakënaqësive. “Edhe pse me zemër të thyer, qëndruam besnik ndaj vendimit të kryetarit dhe e përkrahëm, për hir të qëllimeve më të mëdha,” thekson ai, duke shtuar se “nuk është e lehtë për një organizëm të pranojë trupa të huaj”.

Ai kritikon ashpër emërimet e fundit në pozita udhëheqëse, duke i cilësuar si të papranueshme për bazën partiake. “Nuk është më luks për t’ia imponuar popullit personat që nuk i do,” shprehet Izairi.

Sipas tij, kulmi i pakënaqësisë është arritur me avancimin e individëve që, siç thotë ai, më parë kanë sulmuar BDI-në. “Në pozita udhëheqëse i kemi ata që nën ombrellën e partive të tjera na përbaltën, na shanë dhe na denigruan, e sot jo vetëm që rehabilitohen, por edhe na udhëheqin,” deklaron Izairi.

Në këtë kontekst, ish-kryetari i Komunës së Zhelinës rikthen pyetjen për të ardhmen e subjektit politik: “Të jesh apo të mos jesh?”, duke lënë të hapur debatin për drejtimin që do të marrë BDI në periudhën e ardhshme.

Comments