Fatos Klosi: Ku gënjen Berisha për zhdukjen e Remzi Hoxhës


Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, ka hedhur poshtë pretendimet e Sali Berishës, sipas të cilit emrin e Remzi Hoxhës e ka dëgjuar për herë të parë nga Adem Demaçi dhe se institucionet hetimore nuk kishin dijeni për fatin e tij.
Gjatë një interviste për Shqiptarja.com, Klosi ka pohuar se, Sali Berisha, jo vetëm kishte informacion të saktë, por ka pajisur me pasaporta diplomatike përgjegjësit për vdekjen dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës, me qëllim për t’i shpëtuar drejtësisë. Sipas Klosit, roje dhe shoferë të SHIK-ut kanë folur për rastin në fjalë, ndërsa dëshmitë e tyre janë në prokurori.
Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, duke iu referuar hetimeve të kryera nga SHISH asokohe, pas shembjes së pushtetit të Berishës, shprehet se, Remzi Hoxha i mbeti në dorë SHIK-ut të Gazidedes, por pavarësisht kërkimeve, nuk u gjend vendi ku prehen eshtrat e tij.
-Z. Klosi, ish-kryeministri Sali Berisha ka dhënë versionin e tij për torturimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës, ku sipas tij, emrin e biznesmenit shqiptaro-maqedonas e ka dëgjuar për herë të parë nga Adem Demaçi. Ju, në cilësinë kreut të SHISH, asokohe keni hetuar ngjarjen në fjalë. Si qëndron e vërteta?
Berisha gënjen. Si mund të mos kishte informacion Berisha? Remzi Hoxhën e kishte SHIK-u i Bashkim Gazidedes. SHIK-ut i ka mbetur në dorë Remzi Hoxha. Unë nuk them se kanë dashur ta vrasin, por u mbeti në dorë nga torturat.
Dhe Berisha këtë gjë e dinte. Kishte informacion shumë të saktë. Nuk mund të guxonte SHIK-u të mos informonte Berishën për gjera të tilla. Kaq e thjeshtë është. Berisha gënjen.
-Cilat ishin përfundimet e hetimit që ndërmorët asokohe? Kishte mbetur ndonjë dokument?
Ne hetuam për të gjetur vendin ku ishte varrosur, por nuk e gjetëm dot. Familjarët kërkonin vendin ku ishte varrosur. Që ai i mbeti në dorë SHIK-ut, kjo ishte shumë e qartë. Sa i takon dokumenteve, ata nuk ishin aq budallenj sa të linin dokumente pas. Dokumentet, siç bëhen, edhe grisen.
Ne kishim njerëz në SHIK, të cilët e dinin historinë. Kishin punuar për atë histori. Kishte roje dhe shoferë të SHIK, të cilët ishin në dijeni të ngjarjes. Ishin njerëz që nuk kishin përgjegjësi, por kishin bërë detyrën, por që ishin në dijeni.
Natyrisht ata folën. Të gjitha dëshmitë janë në prokurori. Është bërë gjyq për këtë punë. Ka mbaruar gjyqi. Janë dënuar njerëzit. Edhe Kumbaro u iku anglezëve.
-Çfarë ndodhi me grupin përgjegjës për zhdukjen e Hoxhës?
Njerëzit përgjegjës i pajisi Sali Berisha me pasaporta diplomatike. Ata, kryesisht, ikën në Angli që në vitin 1995. Nuk ka ndonjë gjë sekrete për këtë çështje. Berisha nuk ka thënë asgjë të re. Për këtë ngjarje është folur shumë në ’97.
Unë po them se Berisha po mashtron, pasi ai i di të gjitha. Unë di se çfarë ka ndodhur mbrapa, kush u mor me këtë punë, përfundimet që arritëm, si kishin ikur të gjithë njerëzit përgjegjës për vdekjen e tij, të cilët ishin pajisur me pasaporta diplomatike.
Pasaportat diplomatike i jepte ose kryeministri ose presidenti. Në rastin, konkret i ka dhënë presidenti. Përderisa u ka dhënë pasaportat, ai e dinte mirë se çfarë kanë bërë dhe pse po iknin këta njerëz. Tani thotë kam pyetur dhe nuk më ka thënë njeri gjë.
-Duke u ndalur tek aktualiteti politik, ka një rezistencë nga gjyqtarët dhe opozita për të mos lejuar zbatimin e Reformës në Drejtësi. Cili është komenti juaj?
Unë e kam parashikuar këtë rezistencë. Gjyqtarët janë palë. E kanë frikë Vetingun. Do ta bllokojnë sa të munden. Me të gjitha mjetet e mundshme. Nuk ka asgjë për t’u çuditur. Nuk kanë interes të kontrollohen.
Të gjithë lëvizjet në Shqipëri, por edhe në çdo vend tjetër, i dikton interesi. Interesi i tyre është që të mos kalojnë nëpër filtra. Interesi i tyre është që gjyqësori të mbetet ky që është.
-Çfarë fshihet pas kësaj beteje kundër reformës?
Opozita nxjerr kushte gjithmonë. Loja politike e saj kjo është. Reforma është mjet i luftës politike për opozitën. Nëse është ashtu siç thuhet, që drejtësia do të merret edhe me të shkuarën, Sali Berisha ka shumë gjëra për t’u trembur.
Berisha ka qenë i mençur, pasi ka tentuar të evitojë përgjegjësinë personale, por edhe vendimet kolektive, kur janë qartazi akte korruptive, drejtësia duhet t’i rishikojë. Por, nëse u referohemi gjëmave të Berishës, 21 Janari është një ngjarje shumë e fortë që e vesh Berishën me përgjegjësi.
Rruga e Kombit dhe Gërdeci, po ashtu. Rruga e Kombit është një aferë, e cila akoma ka mbetur pezull, akoma nuk ka mbaruar, akoma diskutohen shumë para për të.
Edhe koncesioni do të harxhojë paratë e shqiptarëve. Pse? Sepse askush nuk e merr përsipër atë rrugë, sepse nuk pati një studim për aspektin ekonomik të saj. Menduan për të bërë tenderat dhe për të fituar, të tjerat ishin broçkulla. Edhe Gërdeci është shumë i rëndë. Ka kaluar shumë thjeshtë.
Gërdeci lidhet edhe me çështjen Trebicka. Pra, nëse do të vendoset vërtetë drejtësi, nuk e di nëse do të jetë, por unë them se Berisha duhet të jetë subjekt i drejtësisë së re.
Rrëfimi i Berishës për zhdukjen e Remzi Hoxhës
“Unë emrin e biznesmenit Remzi Hoxha e kam dëgjuar për herë të parë nga z. Adem Demaçi, i cili më ka ardhur në zyrë dhe më ka shprehur shqetësimin e tij se ky person është zhdukur në Shqipëri.
Menjëherë kam ngarkuar të gjitha autoritetet përkatëse të Ministrisë së Brendshme, Prokurorisë së Përgjithshme, Shërbimit Inteligjent dhe prej tyre më është raportuar se ato nuk kishin asnjë dijeni për personin në fjalë.
Nuk kam patur absolutisht asnjë informacion, siç është folur më vonë se ky person ishte i implikuar në autobombën kundër Gligorovit dhe më pas u tha dhe në atentat ndaj meje.
Pas kalimit në opozitë, qeveria e atëhershme më akuzoi mua për krime kundër njerëzimit, 8 muaj para se Gjykata Ndërkombëtare të akuzonte Millosheviçin dhe nuk bëri asnjë prononcim për zhdukjen e biznesmenit në fjalë. Nuk i di arsyet pse heshtën! Sigurisht hetuan por nuk gjetën asnjë lidhje.
Më vonë janë bërë arrestime të punonjësve të Shërbimit Informativ dhe personat janë liruar nga gjykatat si të pafajshëm, ndërkohë që siç dihet, prokurorinë e kontrollonte tërësisht PS. Duke mirëkuptuar dhimbjen e familjarëve për njeriun e tyre të dashur, më duhet të them se përshtypje më ka bërë fakti që problemi i tij ngrihej në fushata elektorale. Këto janë gjithçka di unë për këtë çështje”.