FIFA dënon FSHF-në për incidentet në ndeshjen me Serbinë
FIFA ka dënuar Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF) për incidentet në ndeshjen Shqipëri–Serbi, e zhvilluar më 7 qershor 2025 në stadiumin “Air Albania”.
Sipas vendimit, FSHF-ja dënohet me një gjobë prej 161,500 franga zvicerane dhe detyrimin që ndeshja e radhës në shtëpi ndaj Letonisë të luhet me të paktën 20% të kapacitetit të stadiumit të mbyllur për publikun.
Shkaku i dënimit është për sjelljet e përsëritura të papërshtatshme dhe diskriminuese të një pjese të tifozëve shqiptarë (këngë me përmbajtje diskriminuese, hedhje objektesh, ndezje fishekzjarrësh, përdorimi i gjesteve apo mesazheve të papërshtatshme për një ngjarje sportive, si dhe ndërprerje gjatë himneve kombëtare).
“Ky vendim është një penalizim serioz për gjithë komunitetin futbollistik dhe dëmton jo vetëm Federatën, por mbi të gjitha Kombëtaren”, thotë FSHF-ja pas vendimit të FIFA-s.
FSHF u bën thirrje “të gjithë tifozëve të Kombëtares që të shmangin çdo veprim që mund të dëmtojë skuadrën tonë”.
“Të respektojnë rregullat ndërkombëtare dhe të kontribuojnë për një atmosferë dinjitoze në mbështetje të Shqipërisë”.
“Vetëm të bashkuar dhe të përgjegjshëm mund ta mbështesim Kombëtaren siç ajo e meriton”, përfundon deklarata e FSHF-së.
Shqipëria do të kthehet në aksion për kualifikueset e Kupës së Botës 2026 në shtator, kur të përballet me Letoninë në stadiumin “Air Albania”.
Më 11 tetor, kuqezinjtë do të udhëtojnë drejt Serbisë.
Kualifikueset do të mbyllen përfundimisht në nëntor. Më 13 do të udhëtojnë në transfertën e Andorrës dhe tri ditë më vonë do të presin Anglinë në “Air Albania”.