Filipçe: Mijëra kompani presin kthimin e TVSH-së, 12.000 nuk kanë dhënë paga

Me politika ekonomike katastrofale, Qeveria e VMRO-DPMNE-së po e çon shtetin drejt një kolapsi të plotë ekonomik, theksoi Kryetari i LSDM-së, dr. Venko Filipçe, në tribunën qytetare “Po luftojmë për shtëpinë tonë”, e cila u mbajt në komunën Aerodrom të Shkupit.
„Politikat ekonomike janë katastrofale, paga mesatare për tre muaj radhazi po ulet, investimet e huaja janë përgjysmuar, prodhimi industrial ka rënë, numri i të punësuarve është duke u zvogëluar“, tha Filipçe.
Ai paralajmëroi se gjendja e likuiditetit të mijëra kompanive është përkeqësuar seriozisht, të cilat janë futur në krizë dhe po vonojnë me pagesën e rrogave.
„Rreth 12.000 kompani po vonojnë me pagesën e pagave. Mijëra kompani presin kthimin e TVSH-së, ndërsa në kohën tonë ajo shlyhej në të njëjtën ditë dhe orë kur duhej të ndodhte. Likuiditeti i kompanive dhe ekonomisë është dëmtuar rëndë, për shkak se shteti dhe komunat nuk i bëjnë pagesat me kohë.“
Në fjalën e tij, Filipçe theksoi se pushteti i ka zhgënjyer të gjithë qytetarët, përfshirë edhe pensionistët.
„Sot doli në pah edhe një gënjeshtër tjetër, ajo për pensionistët – vetëm 1.000 denarë rritje. Mbi 97% e numrit të përgjithshëm të pensionistëve që tani marrin vetëm 1.000 denarë, sipas metodologjisë sonë duhej të merrnin 2.000 denarë“, tha Filipçe.
Në tribunën qytetare ai tha se nuk ekziston asnjë fushë në të cilën VMRO-DPMNE mund të mburret me rezultate.
„Një qeveri kaq antipopullore mendoj se nuk ka, nuk ka asnjë sferë ku gjërat janë mirë. Nuk ka asnjë projekt, asnjë punë për të cilën mund të mburren“, theksoi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
Ky kaos, sipas Filipçes, është rezultat i një Qeverie të pafunksionale dhe të painteresuar të VMRO-DPMNE-së.
„Kjo është vetëm dëshmi për një mosinteresim dhe paaftësi të kësaj Qeverie, e cila nuk ka ndërmend të bëjë dhe të zbatojë asnjë politikë në interes të qytetarëve dhe shtetit,“ tha Filipçe.