
Shkup, 27 tetor – 10 persona që janë ndaluar nga policia ditën e zgjedhjeve për shkak se janë kapur duke fotografuar votën, rrezikojnë të dënohen prej 3-5 vite heqje lirie. Shumica e të ndaluarve gravitojnë në Qytetin e Shkupit. Ndaj të njëjtëve është ngritur akuzë për shkelje të Kodit Zgjedhor, thonë nga Ministria e Punëve të Brendshme.
“Në rrethin parë të zgjedhjeve lokale, nga organet e rendit janë ndaluar 10 persona, për shkak të fotografimit të fletëvotimit në vendvotim. Të gjithë këto raste janë zbardhur dhe kundër këtyre personave është ngritur akuzë për kundërvajtje,“Fotografim të fletëvotimit”, thuhet në kumtesën e Ministris së Brendshme.

Në të shumtën e rasteve “Fotografimi i votës bëhet për t’ia dëshmuar dikujt se për kënd ka votuar” thotë avokati Zvonko Davidovic i cili shpjegon se edhe për atë që ka fotografuar votën, njëjtë edhe ai që e ka urdhëruar fotografimin, ligji parasheh minimum 3 vite dënim me burg.
“Fotografimi i votës bëhet që të dëshmojë diku dhe të ketë fakte se për kënd ka votuar ose ajo që të dëshmojë se ka mbaruar punën për të cilën e ka obliguar dikush. Ai I cili e fotografon voton, bën vepër penale “Shkelje të privatësisë së votimit” për të cilën masa minimale e dënimit është 3 vite. Nëse vërtetohet se këtë vepër e ka kërkuar ndonjë njeri tjetër, me kërcënim, mashtrim ose çfarëdo qoftë, me qëllim që të votoj për ndonjë njeri të caktuar, ai bën vepër penale “Shkelje e zgjedhjes së lirë të votuesve” për të cilën gjithashtu parashihet dënimi minimal me burg prej 3 vitesh”, tha avokati Zvonko Davidoviq.
Raste të fotografimit të votës janë regjistruar edhe gjatë proceseve të kaluara zgjedhore, të cilat gjithashtu janë sanksionuar me ligj.