Frikë në Zelandën e Re, tsunami pas tërmetit të fuqishëm

159
Frikë në Zelandën e Re, tsunami pas tërmetit të fuqishëm

Tërmeti i fuqishëm 7.8 ballë i shkallës rihter që goditi ishullin jugor të Zelandës së Re, u ndoq nga një tsunami 2 orë më vonë. Një dallgë 2.5 metra e lartë u regjistrua në Kaikoura, 181 km në veri të Christchurch, por autoritetet paralajmëruan se aktiviteti mund të zgjasë për disa orë, e se dallgët e para që u përplasen në bregdetin verilindor mund të mos jenë më të mëdhatë.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes Civile dallgë deri në 5 metra pritet të shënohen mes Malborough që është pjesa më verilindore e ishullit jugor dhe gadishullit të Banks-it në jug të Christchurch.

Banorët u paralajmëruan të shmangin udhëtimet në det e të qëndrojnë në zona të larta. Mijëra njerëz janë evakuuar nga shtëpitë e tyre, ndërsa toka vazhdon të dridhet akoma. Të tjerë janë mobilizuar në rrjetet sociale për t’u ofruar qytetarëve të prekur një shtrat të sigurt për të kaluar natën.

Tërmeti prej 7.8 ballësh që shkaktoi tsunamin, u regjistrua pak pas mesnatës me orën lokale, 95 km larg Christchurch-it. Qyteti ende nuk e ka marrë veten nga tërmeti i vitit 2011 që shkaktoi 185 viktima dhe shkatërroi qendrën e qytetit.

Gazeta “Herald” raporton se lëkundje ishte ndjerë deri në Wellington ku u aktivizuan sirenat dhe njerëzit dolën të frikësuar nëpër rrugë, disa prej të cilëve duke qarë.

Edhe pse pati raportime për dëmtimin e disa banesave në qytezën e Cheviot Town pranë epiqendrës, autoritetet zjarrfikëse thanë më vonë se kishin trokitur derë më derë për të evakuuar banorët, e se të gjithë ishin shëndoshë e mirë. Zelanda e Re shtrihet në të ashtuquajturën “unaza e zjarrtë e Paqësorit”, ku ndodhin tërmete e vullkane të shumta.

/ Top Channel

Comments