Nga Prof. Hajri Shehu
Është fjala për një Fjalor tjetër bashkëbisedimor bullgarisht-shqip, të botuar në prill 2015. Fjalori është hartuar nga Marija Hristova Georgieva (Peeva). E veçanta e Fjalorit është se teksti shqip ka si bazë të folmen shqipe në fshatin Mandricë, Bullgari.
Fjalori paraprihet nga një si hyrje, me titullin “Mandrica”, nga Ivajllo Petrov, kryetar i Shoqatës për Ringjalljen e fshatit Mandricë. Hyrja shoqërohet me pamje nga fshati Mandricë, që duken si një copëz Shqipërie.
Nga një mbishkrim në një gur në kishën e varrezave “Sveta Nedelja” (Shën e Diela), historia e fshatit fillon më 1636. Sipas një gojëdhëne, – thuhet në hyrje, – fshati është themeluar nga tre vëllezër shqiptarë ortodoksë nga Vithkuqi i Korçës. Rreth vitit 1700, – thuhet më tej në hyrje, – fshati ka filluar të rritet.
Në fillim të shek. XX, numri i banorëve ka qenë rreth 3500 veta. Deri në vitin 1912, në fshat është përdorur vetëm gjuha shqipe. Në vitin shkollor 1913-1914 ka filluar shkollimi në gjuhën bullgare. Gjatë viteve ’70 dhe ’80 të shekullit XX, Mandrica rritet e zhvillohet edhe më. Sot, fshati është shpopulluar shumë. Banorët e paktë, që kanë mbetur, vijojnë të flasin gjuhën shqipe.
Për historinë e themelimit të Mandricës dhe të folmen e saj shqipe ka shkruar edhe profesor Dhimitër Shuteriqi në “Studime filologjike”, 1965, I. Profesor Dhimitër Shuteriqi (po aty) dhe në “Studime filologjike”, 1965, II, bashkë me profesor Mahir Domin kanë bërë një studim të plotë shkencor për të folmen e Mandricës. Sipas profesor Shuteriqit, në vitin 1900, Mandrica ka qenë me 650 shtëpi.
Ka disa gojëdhëna, – thotë profesori, – që Mandrica është themeluar që më 1453. “Fshati (është fjala për Mandricën), – shkruan profesor Shuteriqi më 1965, – prej së largu, duket si një tufë luleshqerrash midis gjelbërimit”. Edhe Bojka Sokollova ka shkruar për shqiptarët e Mandricës (Berlin, 1983). Kohët e fundit, për Mandricën kanë shkruar profesor Llukan Tase dhe profesor Abdurrahim Myftiu në librin e tyre “Bullgaria dhe studentët shqiptarë” (Tiranë, Onufri, 2011).
Në vitin 2011 është krijuar Shoqata për Ringjalljen e Fshatit Mandricë. Janë pasardhësit e sotëm të banorëve të Mandricës, që e kanë themeluar, me synimin ta ruajnë dhe ta zhvillojnë më tej në të ardhmen Mandricën – emrin e saj të mirë, traditat, gjuhën dhe pamjen e saj autentike.
“Me botimin e këtij Fjalori, – thotë kryetari i Shoqatës, Ivajllo Petrov, – shpresojmë t’ju tregojmë ju dhe gjeneratave të ardhshme gjuhën, në të cilën është folur në fshatin Mandricë gjatë 400 viteve të fundit”.
Fjalori është në katër kolona: fjala a shprehja në bullgarisht; fjala a shprehja në të folmen shqipe të Mandricës, me tejshkrim bullgar; fjala a shprehja në të folmen e Mandricës, me shkrim shqip; fjala a shprehja në gjuhën shqipe standarde. Në Fjalor ka 39 tema bashkëbisedimi, çka do të thotë se e folmja mund të shihet në 39 grupe tematike.
Kjo është vlera më e parë e Fjalorit. Fjala jepet në një kontekst aktiv. Kësisoj, ajo del pa dykuptimësi e me sjelljen e saj të vërtetë gramatikore. Fjalori është kështu edhe si një fjalor i fjalëpërdorimit për të folmen shqipe të Mandricës. Kjo është një vlerë tjetër e tij.
“Ndikimi nga ana e greqishtes, turqishtes dhe bullgarishtes, – thuhet në hyrje, – nuk e ka ndryshuar thelbin e gjuhës sonë”. Është një e thënë me krenari të ligjshme. Në Fjalor, kjo gjuhë e ky thelb shihet, vërtet mjaft qartë. Fjalori nis me një gramatikë të shkurtër të gjuhës shqipe.
Edhe nga gramatika, edhe nga tekstet e Fjalorit, lexuesi sheh shqipen dhe ndien mallin për shqipen. Përemrat vetorë janë: unë, tinë, aju (= ai, ajo), neve, ive / vi (nga bullgarishtja = ju), ata. Përemri pyetës: çe: çe punoni? Numërorët janë ruajtur si në gjuhën e sotme shqipe, por herë-herë, me shqiptim pak më të ndryshëm: ni (nj → n), dju, tri, katrë, pesë, gjashtë, shtatë, tetë, nëntë, zjetë (= dhjetë / ka humbur bashkëtingëllorja dh; në vend të saj, e folmja e Mandricës ka z), nizetë, trizjetë, nikint etj.
Veta e parë e foljeve më o · j në kohën e tashme është me mbaresën –n: unë gëzon. Koha e ardhshme bëhet me do të, shkurtuar në ot: unë ot këndon. E kryera e thjeshtë e foljeve më o · j bëhet duke ruajtur mbaresën j + ta: unë këndojta.Ruhet vetvetorja më –em: lozem (= lodhem).
Mandrica fjaloriNë punë të shqiptimit: Nga Fjalori del se e folmja e Mandricës ka ruajtur grupin e vjetër të bashkëtingëlloreve gl (gluha, glatë) e kl (klumësht). Ruhet l (ish – lj e vjetër) në rrokje fundore (tipi bilë / në gjuhën e sotme shqipe: j = bijë). Ruhet, gjithashtu, përgjithësisht bashkëtingëllorja grykore k (nuk është bërë q) përpara një zanoreje të përparme (kuke = kuqe). Ka r e jo rr (tjer, var). Në fjalë që nisin me zanoren e shtohet një j (jecën = eci). Bashkëtingëllorja fshndërrohet në h (hurë = furrë) etj.
Në punë të fjalorit (leksikut), e folmja ka ruajtur fjalë të gjuhës së sotme shqipe: dorë, këmbë, sy, bukë, udhë, ujë etj.; ditët e javës janë: hënë, mara, murkurë, tënte, prëmte, shtunë, djellë(të paparaprira nga nyja e).
Emërtimet kryesore të ngjyrave janë: bardë, zezë (= i zi / e zezë), verdë, kuke (i kuq / e kuqe), kalsër, gelbër, kafentë. Fjalët për dukuritë e motit janë: sborë për borë, jerë për erë, mëglle për mjegull, fifitin për vetëtin, shtrakallin për bubullin, kieltë për qielletj. Për trupin e njeriut janë fjalët premedis për mes / bel, shkrihem për krihem, sëmundë për sëmundje, shkëllçitor për ndrydhje etj.; për familjen: tatë (baba), bir / djalëzë, bilë / çupkë etj.; për ushqime: kokove, gurica, darda ose darza (= dardhë), kaçka (arra), cëruvë (peshk) etj.
Te veshjet e stolitë ka huazime. Kjo, sigurisht ka shpjegimin e vet. Por e rëndësishme është që janë ruajtur fjalë të gjuhës amë: gunë (= xhaketë), mëngë, tjer (tjerr), shkrorë (me shumë ngjyra, i/e shkruar), hallkë (unazë), vës (vëth) etj. Na duken interesante tri formime që kanë të bëjnë me veshën (mbrëmshëm: mbrëmshme kupuca këpucë mbrëmjeje, natshëm: natshme roba këmishë nate, sbardërohet zbërdhulet)
dhe shumësi pejna për penj.
Fjalë të tilla, si jam, kam, mar, dal, nisem, bën (=bëj), hin (=hyj), siel (= sjell), rufem (= rruhem / e folmja nuk ka rr dhe h → f), gigem (= gjegjem, dëgjoj), sbjer (= zbjerr), pres, zjetë (= dhjetë), diasë (= djathë), rush (= rrush), gellë (= gjellë), zemërherë (= drekë; krahaso në gjuhën e sotme formimin drekëherë), kruvë (= krye), glu (= gju), butë (= i / e butë), glatë (= i / e gjatë), mirë (= i / e mirë), vlorë (= i / e vluar, i / e fejuar), sëmurë (= i / e sëmurë), lagët (= i / e lagët), pasnesrë, jashë, brenda, nditëzë (= njëditëzaj), tuti (= tutje, larg) etj. janë e përbashkëta.
Kurse fjalë të tilla, si patkë (= rosë), bibik (= patë; gjel deti), zokçe (= zogëz), gëzon (= pëlqej), përkëcen (= kërcej), punëshormë (= punëtor, punëdashës), tërzojtur (= tërdhojtur / mbase lidhet me tërthor = i / e gabuar), shkrikëshlle (= frikacak), sos (= mjaft), cing (= pak) etj. janë e veçanta, që mund ta ketë çdo e folme e shqipes brenda njësisë (unitetit). Te kjo e veçanta mund të ketë edhe vlera letrare potenciale për gjuhën shqipe standarde. E folmja e Mandricës ka humbur, siç u tha, bashkëtingëlloren dh (në vend të saj ka z: zjetë, zëmb, zëndër, ze, mazeose d: bardë). Ka humbur edhe bashkëtingëlloren th (në vend të saj ka s: som = thom, satë = i / e thatë, ksehem, suva = thonj). Janë ndikime të bullgarishtes.
Mbiemri vihet para emrit (p.sh., groftë ujë, toftë ujë, bardë verë, kuke verë, mblojtur kafe, djegor peper / = piper djegës, pjekor mish / = mish i pjekur, zijetor mish etj.). Kësisoj, mbiemri është i panyjshëm dhe nuk ka gjini. Edhe rasa gjinore ndërtohet anasjellas (tipi dorës sahat, xhobit sahat = sahat xhepi). Edhe këtu nuk ka nyja. Janë ndikime të bullgarishtes. Edhe në fjalor (leksik) ka ndikime nga bullgarishtja, turqishtja, greqishtja etj.: dvor (derë), odejallo (batanije), vie / ive / vi (= ju), li (vallë), jagodë(luleshtrydhe), mallinë (mjedër), kapinë (manaferrë), karpuz (shalqi), kaun (pjepër), kundurxhi(këpucar), hekim (mjek), asker (ushtar), kuvetli (i fuqishëm), saballe (herët, në sabah, në mëngjes), xhins (fis), kallpazan (i rëndë, i ngathët), freng (domate) etj.
Me këto të dhëna që jep Fjalori, mund të hetohet çfarë ka ruajtur e çfarë ka humbur e folmja, nga ç’krahinë e Shqipërisë janë bartësit e saj etj. Këto hetime mund të plotësohen, sigurisht me vjelje të reja dhe me një Fjalor shpjegues me fjalë e shprehje të së folmes së Mandricës, përfshirë edhe mbiemrat e njerëzve dhe emërvendet (toponimet, sidomos mikrotoponimet). Ai mund të jetë fjalor i plotë (i së folmes), domethënë, sipas mundësisë, të përfshijë gjithë fondin (aktiv e pasiv) të leksikut të së folmes. Fjalori do të ishte një dëshmi për të folmen e Mandricës, për historinë e shqipes (shekulli XVII), për dialektologjinë historike e leksikologjinë historike, e edhe për kulturën e shqiptarëve të Mandricës. Sigurisht, plotësia është relative, sepse e folmja bjerr vazhdimisht dhe nuk Mandrica1ngulitet dot me shkrim, ngaqë është gjuhë bisedore. Nëse ka skripte, puna do të ishte pak më e thjeshtë.
Nga ç’fusha të jetës e të veprimtarisë mund të gjurmohet më lehtë lënda për një fjalor të tillë? Mendojmë se mund të gjurmohen ato fusha të jetës e të veprimtarisë që janë marrë nga Atdheu.
Gjurmimi mund të bëhet sipas sipas grupeve tematike, si një mënyrë e programimit të punës. Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Tiranë ka botuar më 1981 (e ribotuar më 1989) një “Udhëzues për mbledhjen e fjalëve dhe të shprehjeve të gjuhës shqipe” sipas grupeve tematike (le të themi, grupi tematik për qumështin e prodhimet e qumështit, grupi tematik për gatesat e mënyrat e gatimit etj.).
Siç thuhet në hyrjen e Fjalorit, në Mandricë ka pasur punishte për vaj susami, për shkrirjen e derdhjen e kambanave, për pijet e gazuara, për regjjen e lëkurëve, për prodhimin e vozave, të rakisë e të mastikës, për mbarështimin e krimbit të mëndafshit etj. Këtej mund të jetë edhe udha e vjeljes së fjalëve dhe të shprehjeve të së folmes.
Nga folklori mund të vilen sidomos përrallat, këngët rituale dhe këngët e motmotit, sepse ruajnë leksikun konkret.
Autorja, Marija Hristova Georgieva (Peeva) është shembull i spikatur i dashurisë për gjuhën amtare dhe meriton denjësisht përgëzime të përzemërta. Përgëzime të veçanta meriton edhe profesori i gjuhës shqipe në universitetin “Klement Ohridski” të Sofjes, Ludmill Stankov, autor i disa librave dhe teksteve për gjuhën shqipe: “Gramatika e gjuhës shqipe – fonetika, morfologjia , sintaksa, leksikologjia”, “Ndihmëtar për mësimin e gjuhës shqipe” etj.
Pas rreth 400 vjetësh, me këtë fjalor bashkëbisedimor na vjen përsëri gjuha e të parëve, ashtu siç flitet ajo atje. Sot, kur fëmijët e mërgimtarëve pothuajse po e humbasin gjuhën shqipe, ky Fjalor, ata 100 veta, nga të cilët është vjelë Fjalori, ata vithkuqarë të nderuar që e mbajnë gjallë gjuhën e tyre, janë një rizgjim dhe një mësim për të gjithë shqiptarët jashtë vendit.