Ganimete Musliu: Pse ndërtesa e Qeverisë mos të mbulohet me flamurin e UÇK-së?
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, përmes një postimi në Facebook ka pyetur pse Qeveria e Kosovës nuk është solidarizuar me UÇK-në.
Ajo ka thënë se Qeveria është solidarizuar me shtete e komunitete të ndryshme, duke mbuluar objektin e Qeverisë me simbole përfaqësuese, por një gjë të tillë nuk e ka bërë për UÇK-në, shkruan lajmi.net.
“Pse ndërtesa e Qeverisë mos të mbulohet me flamurin e UÇK-së sot kur Kosova po përballet me padrejtësinë më të madhe?”, ka shkruar Musliu.
Kujtojmë se reagimi i Musliut vjen një ditë pas dënimit të parë nga Gjykata Speciale ndaj ish-kryetarit dhe ish-nënkryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, të cilët gjenden në Hagë.
Gucati e Haradinaj u dënuan me nga katër vite e gjysmë burgim dhe nga 100 euro gjobë nga Specialja, ndërsa vendimi ndaj tyre pritet të apelohet në instanca më të larta të gjykatës. /Lajmi.net/

