Gashi: Frika e Gruevskit tregon se nga duhet të drejtohen shqiptarët (VIDEO)



Kërkesës së kryetarit të VMRO DPMNE-së Nikolla Gruevski për të fituar 63 deputetë në mënyrë që të pengohet dygjuhësia dhe ridefinimi i shtetit, i përgjigjet Lëvizja BESA. Ata thonë se koncepti i tyre politik për Ridefinimin e shtetit është që shqiptarët të bëhen të barabartë me bashkëqytetarët maqedonas, prandaj kjo ndjellë frikë tek VMRO-DPMNE-ja. Afrim Gashi nga kjo lëvizje thotë se partia maqedonase në pushtet është mësuar që shqiptarët t’i përdorë si vegla për plotësimin e apetiteteve të veta, prandaj duhet penguar dhënia e pushtetit të plotë ligjvënës.
“Mendoj se është e qartë kur edhe Nikolla Gruevski flet për një koncept dhe është kundër atij koncepti që është koncepti bazë i lëvizjes Besa, mendoj se është e qartë se shqiptarët në cilën anë duhet të jenë. Mendoj se prej dje mjegullat kanë rënë dhe është e qartë se prej kujt kanë frikë maqedonasit e posaçërisht Nikolla Gruevski. Largimin e pronësisë së maqedonasve mbi shtetin. Maqedonasit frikësohen pikërisht prej kësaj pasi nuk duan barazi. Ndërsa shqiptarët do të përfitonin shumë nëse janë qytetarë të barabartë të këtij shteti. Prej kësaj kanë frikë. Gjithmonë kanë dëshirë që shqiptarët ti kenë shërbëtorë ashtu siç e kanë BDI-në por ajo kohë më ka përfunduar”, tha sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes BESA, Afrim Gashi.
Gashi thotë se për t’i fituar 63 deputet, VMRO-së i duhen shumë faktorë. Sidomos duke marrë parasysh rënien e rejtingut pas shumë skandaleve të dala nga përgjimet, është skeptik se ata mund të arrijnë një gjë të tillë.
“Mendoj se kjo është hera e fundit kur BDI do të jetë në shërbim të Nikolla Gruevskit për t’i fituar 63 deputetë, por kësaj radhe jam i bindur se shqiptarët janë vetdijësuar”, theksoi Gashi.
Nikolla Gruevski gjatë fjalimit të djeshëm para elektoratit të tij, kritikoi premtimet e LDSM-së opozitare për dygjuhësi të plotë në shtet. Gruevski gjeti kohë të kritikojë edhe konceptin e ridefinimit të shtetit dhe ngacmoi ndjenjat e maqedonasve duke u thënë se Maqedonia rrezikon ti shitet emri, t’i imponohet dygjuhësia dhe të ridefinohet tërësisht./Shenja