Gashi: Nëse Astrit Dehari do të ishte gjallë, sot do të lirohej nga paraburgimi
Avokati Tomë Gashi, që përfaqëson aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje në rastin për të cilin dyshohen se kanë sulmuar me granatahedhës Kuvendin e Kosovës, ka folur për Koha.net duke sqaruar situatën aktuale në këtë rast.
Ai ka konfirmuar se të dyshuarit që kishin mbetur në paraburgim, Atdhe Arifi dhe Egzon Haliti janë lëshuar në arrest shtëpiak, por kjo gjendje nuk mund të përmirëson një gjë tjetër, vdekjen e Astrit Deharit, i paraburgosur njëjtë sikur dy të parët, transmeton Koha.net.
“Gjithçka mund të përmirësohet në mënyrë hipotetike, por assesi nuk mund të përmirësohet vdekja e Astrit Deharit që ka ndodhur më 5 nëntor të këtij viti. Ky është mëkati më i madh i Prokurorisë dhe Gjykatës për shkak se është humbur një jetë e re në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. Në të ardhmen do të vërtetohet se asnjëri prej aktivistëve të Vetëvendosjes nuk ka pasur gisht dhe të bëjë me sulmin në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, që nga Prokuroria është kualifikuar si sulm terrorist”, ka thënë Gashi.
E sikur Astrit Dehari të ishte gjallë, sipas Tomë Gashit sot do të ishte dita e tij e fundit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.
“Nëse Astrit Dehari do të ishte gjallë, dita e fundit që ai do të lirohej prej paraburgimit do të ishte dita e sotme, për shkak se për arsye të njëjta, arsye jo të ligjshme Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar paraburgimin së bashku me të tjerët. Pra, sikur të ishte gjallë, sot do të lirohej”, tha më tej për portalin Koha.net, avokati Tomë Gashi, që përfaqëson edhe familjen Dehari në rastin e vdekjes së Astrit Deharit.
Ai edhe njëherë ka thënë se Astrit Dehari është vrarë dhe jo vetëvrarë, sikur thuhet nga autoritetet shtetërore të Kosovës, teksa ka shtuar se ekspertët privatë, të angazhuar nga familja gjatë procesit të obduksionit do të dalin shpejt me një mendim te tyrin, edhe pse më atyre, sipas Gashit, i janë ofruar vetëm foto-dokumentacion nga obduksioni dhe nga qelia ku ka vdekur Astrit Dehari.
“Sa i përket meje është pa mëdyshje, nuk ka asnjë mëdyshje që mund të ndërroj mendimin tim se Astrit Dehari është vrarë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. Tash jemi në pritje të ekspertizave të ekspertëve privatë të familjes Dehari, që janë lejuar të marrin pjesë në obduksion, mirëpo të njëjtëve në kohën e fundit i janë dhënë shumë pak prova, foto-dokumentacioni nga obduksioni dhe foto-dokumentacioni nga dhoma ose qelia ku ka qëndruar Astrit Dehari. Asnjë provë tjetër nuk është dhënë nga prokuroria. Shumë shpejt do të dalin ekspertët me mendimet e tyre. Rasti është i kthjelltë se është vrasje e jo vetëvrasje”, përfundoi Gashi.