Gazetarët do të padisin për përgjimet, rasti “target” konfirmoi se gazetarët kanë qenë cak i shërbimeve sekrete (VIDEO)



Komunikimi telefonik i gazetarit dhe redaktorit të NOVA TV, Borjan Jovanovskit është përgjuar 5-6 vjet, nga vitit 2010 deri në vitin 2013 në një telefon, dhe nga viti 2012 deri në vitin 2015 në telefon tjetër. Ai për TV21 deklaroi se me hapjen e rastit “Target”, Prokuroria Publike Speciale vërtetoi se përgjimi i mijëra personave nuk është kryer nga asnjë shërbim i huaj, por se përgjimet janë bërë nga ata që janë paguar me paratë tona për ta mbrojtur privatësinë tonë. Ai, ashtu si edhe 10 gazetarët tjerë të përgjuar, paralajmëroi padi kundër shërbimeve shtetërore.
“Më vjen shumë keq që përveç meje janë përgjuar edhe të gjithë miqtë dhe të afërmit e mi me të cilët i kam ndarë edhe momentet më intime. Ata njerëz thjeshtë janë kapur, janë përfshirë në rrjetin të cilin e ka hedhur DSK-ja mbi privatësinë e të gjithë neve. Një nga ata numra ende e përdor, kurse numri tjetër nuk është më në funksion, ndërkaq ekziston edhe një numër tjetër që duhet ta gjej dhe ta dorëzoj si provë, për shkak se ai numër është përgjuar më së shumti dhe të njëjtin e kam shfrytëzuar gjatë kohës kur kam punuar në televizionin A1”, u shpreh Borjan Jovanovski, gazetar.
Edhe telefoni i gazetarit Sashe Dimovski, siç thotë edhe ai vetë, është përgjuar nga shërbimet sekrete. Dimovski së bashku me 16 gazetarë tjerë, pas një procesi gjyqësor gjashtëvjeçar e fitoi rastin të njohur si “Veshi i Madh”. Telefoni i tij, ashtu si edhe i gazetarëve të tjerë, por edhe i një pjese të diplomatëve dhe politikanëve është përgjuar që nga viti 2010. Gazetarët atëherë lëndën e fituan në Gjykatën për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, por për dallim nga tani, sipas Dimovskit përgjimi në atë kohë është kryer vetëm gjatë fushatës parazgjedhore, ndërsa këtë herë përgjimi ka zgjatur me vite të tëra. Pavarësisht se telefoni që ai e ka shfrytëzuar ka qenë i regjistruar në emër të vëllait të tij, megjithatë ai është përgjuar 6 vite të plota.
“Unë jam njëri nga gazetarët i cili në vitin 2010 publikoi se DSK-ja në krye me Mijallkovin e përgjon madje edhe baxhanakun e tij, respektivisht gjykatësin aktual në Gjykatën Evropiane, Jovan Ilievski. Në vitin 2010 opinioni nuk ishte i tronditur nga përgjimet për të cilat flisja, e që kishin filluar që nga viti 2006. Mua ky informacion aspak nuk më ka befasuar, por duke e shikuar aktvendimin e Strasburgut, shteti duhet seriozisht të brengoset se sa para do të humbasë”, tha Sashe Dimovski, gazetar.
PPS-ja mbrëmë hapi hetimin e ri nën emrin e koduar Target, pasi para një muaj e gjysmë hyri në hapësirat e DSK-së, me çka edhe u ballafaqua me rezistencë nga funksionarët e lartë policorë. Prokuroret njoftuan se në periudhë prej vitit 2008 deri 2015 janë përgjuar mbi 5.000 numra celularë të politikanëve, biznesmenëve dhe gazetarëve. Shërbimi ka qenë kureshtar për gjithçka që ka biseduar udhëheqësia e VMRO-DPMNE-së përveç kryeministrit Nikolla Gruevski.