Gecaj: Ymeri punoi kundër pavarësisë së Kosovës, tash edhe kundër kodit telefonik

Zëvendësministri i Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, i cili vjen nga radhët e LDK-së, ka dalë me një reagim në lidhje me deklaratën e liderit të Vetëvendosjes, Visar Ymeri për çështjen e kodit telefonik të Kosovës, 383.
Gecaj ka thënë se Ymeri njëherë kishte dalë kundër vetëvendosjes dhe pavarësisë së Kosovës, e tash edhe kundër kodit telefonik.
“Imituesi i liderit të Lëvizjes Anarkiste të Vetëvendosjes (LAV), Visar Ymeri, paska thënë dje se kodi 383 i është dhënë “Krahinës Autonome të Kosovës”. Diçka e tillë vërtetë nuk është fare befasuese, pasi që ky imitues e kishte lënë një kohë Kosovën si “Krahine Autonome”, nuk kishte lëviz as gishtin për lirinë e saj, ishte kthyer pastaj të gëzoi frytet e Kosovës së lirë, dhe madje duke bërë çmos kundër vetëvendosjes dhe pavarësisë së saj”, ka shkruar Gecaj, raporton Koha.net.
Sipas Gecajt, “këto deklarime provojnë qartë se, jo vetëm që kërkesa e tij për bashkim kombëtar është vetëm një farsë e radhës, por se ai ende ka mbetë (apo se dëshiron të mbesë) në mendësinë e Krahinës Autonome të Kosovës”.
Në fund, zyrtari i LDK-së tha: “…kthjelluni o njerëz sepse po i gëzoni (dhe nëpërkëmbni njëkohësisht) frytet e punës së huaj”.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Visar Ymeri ka thënë dje se me kodin 383, Kosova bëhet pjesë e Serbisë në fushën e telekomunikacionit.
Deklarata e Ymerit:

ITU i ndau për përdorim kodin +383 “rajonin gjeografik të Krahinës Autonome të Kosovës dhe Metohisë”, siç thuhet në letrën që Sekretari Gjeneral i ITU-së i dërgoi ministrit serb të sektorit, si përgjigje në letrën e këtij të fundit të datës 2 dhjetor dërguar ITU-së;
• ITU zotohet se këtij rajoni gjeografik, pra “Krahinës Atonome të Kosovës e Metohisë”, do t’i referohet si “Kosovo” dhe në secilin rast kur në anekset teknike përdoret ky emërtim, ai do të jetë i përcjellë me fusnotën e njohur tashmë;
Çmimi për Kosovën: Sovraniteti, sepse “Telekom Srbija” do të zgjerohet në Kosovë;
• Thirrjet nga Kosova në Serbi do të trajtohen si thirrje të brendshme pa pasur nevojë për përdorimin e prefiksit +383.
• Këtij Telekomi i falet një pjesë e infrastrukturës së telefonisë, duke vepruar kështu në përputhje me pretendimet e Serbisë se prona publike e shoqërore në Kosovë është e saj. Ky është precedent i rrezikshëm në raport me energjetikën, Trepçën, Brezovicën, fondin e privatizimit, etj.
• Kompanisë së Telekomit të Serbisë i falen 1 miliard e 202 milionë borxhe të akumuluara gjatë viteve të pasluftës së ndërhyrjes ilegale brenda sistemit të telekomunikimit dhe mospagesës së detyrimeve karshi PTK-së e Buxhetit të Republikës së Kosovës.
• Kompania amnistohet nga krimet e bëra në Kosovë në periudhën 1990-1999.
Ky është bilanc jashtëzakonisht negativ. Prandaj nuk duhet pranuar.
Ende nuk ka përfunduar.
ARKEP në asnjë mënyrë dhe për asnjë çmim nuk bën të nënshtrohet politikisht e ta jap licencën për “Telekom Srbija”. Këta janë autoritet i pavarur dhe kanë përgjegjësi ta ndalin këtë pushtim të Serbisë në fushën e telekomunikacionit.
PTK në asnjë mënyrë dhe për asnjë çmim nuk bën t’ia japë pronën e telekomunikimit kompanisë publike të Serbisë. PTK është ndërmarrje në pronësi të publikut në Kosovë dhe duhet t’i jap llogari qytetarëve e jo pushtetarëve.