Gjilani në balotazh, Hyseni nuk arrin ta mbyllë garën me votat e diasporës

70
fresco

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka nisur të shtunën publikimin e rezultateve nga votat e diasporës, si dhe të votave me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta. Në disa komuna, ky proces tashmë është përmbyllur.

Në Gjilan, pas numërimit të 85.71 për qind të votave nga diaspora, Alban Hyseni nga Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 687 vota, ndërsa Arbër Ismajli i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ka marrë 482 vota.

Kjo komunë pritet të shkojë në balotazh, megjithëse Hyseni ishte shumë afër ta siguronte fitoren në raundin e parë.

Deri më tani, Hyseni ka gjithsej 22.140 vota (49.84%), ndërsa Ismajli 15.245 vota (34.29%), sipas rezultateve preliminare të KQZ-së.

Numërimi i votave të diasporës ka përfunduar edhe në Junik e Dragash, komuna që po ashtu pritet të shkojnë në balotazh. Në Junik, gara do të zhvillohet mes Ruzhdi Shehut (LDK) dhe Agron Kuçit (AAK), ndërsa në Dragash mes Bexhet Xheladinit (LDK) dhe Shaban Shabanit (PDK).

Ndërkohë, procesi i numërimit është përmbyllur në Shtime, ku rezultati nuk ka ndryshuar: Qemajl Aliu i Lëvizjes Vetëvendosje e ka siguruar një mandat të dytë në krye të komunës.

Comments