Gjobë 50€ për këmbësorët dhe çiklistët që përdorin kufje në rrugë

104
fresco

Nuk ka më shëtitje të pakujdesshme në rrugë me kufje ose bisedë në telefon gjatë kalimit të rrugës – Qeveria ka dorëzuar në Kuvend ndryshime në Ligjin për sigurinë e trafikut rrugor, ku përfshihen masa rigoroze jo vetëm për këmbësorët, por edhe për çiklistët dhe drejtuesit e trotinetëve elektrikë.

„Këmbësori është i detyruar, kur lëviz nëpër rrugë sipas kushteve të përcaktuara me këtë ligj ose kur kalon nëpër vijën e kalimit apo shtegun/lentën e biçikletave, të lëvizë dhe të kalojë me kujdes, pa përdorur pajisje elektronike, siç janë kufjet në të dy veshët, telefoni celular, tableti, ora inteligjente apo çdo pajisje tjetër elektronike, të cilat do t’ia zvogëlonin vëmendjen gjatë kalimit të rrugës apo shtegut të biçikletave“, thuhet në ndryshimet e propozuara.

Nëse policia e ndal një këmbësor, ai do të gjobitet me 40 euro në kundërvlerë denarësh.

Gjoba parashihen edhe për çiklistët që mbajnë kufje ose flasin në celular gjatë vozitjes. Për ta, gjoba është 10 euro më e lartë sesa për këmbësorët.

„Drejtuesi i biçikletës, biçikletës me motor ndihmës, moped-it, motoçikletës, triciklit, kuadriciklit të lehtë apo kuadriciklit, gjatë drejtimit të mjetit nuk guxon të përdorë pajisje elektronike, si kufje në të dy veshët, telefon celular, tablet, orë inteligjente apo pajisje të tjera të ngjashme që do t’ia zvogëlonin mundësinë për reagim dhe drejtim të sigurt të mjetit, përveç pajisjeve të specializuara për komunikim që janë të integruara në helmetat mbrojtëse. Procesverbali për kundërvajtje në komunikacion me gjobë në vlerë prej 50 euro në kundërvlerë denarësh do t’i shqiptohet drejtuesit që vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij neni“, thuhet në ndryshimet e propozuara.

Të njëjtat gjoba janë paraparë edhe për drejtuesit e trotinetëve elektrikë që përdorin kufje, telefona apo ndonjë pajisje tjetër elektronike.

Këto ndryshime vijnë së bashku me ato për projektin “Qytet i Sigurt” – sistem i cili fillimisht do të funksionojë në Shkup, Tetovë dhe Kumanovë, ndërsa deri në mesin e vitit 2026 pritet të zbatohet në të gjithë vendin.

Comments