Gjuajtje me armë zjarri në Lipjan, policia sekuestron armën dhe identifikon të dyshuarin

665

Policia e Kosovës ka sekuestruar një revole dhe gjashtë fishekë nga një person i dyshuar në fshatin Shalë të Lipjanit.

Sot rreth orës 16:00 në fshatin Shalë të komunës së Lipjanit, Policia e Kosovës ka sekuestruar një armë dhe ka identifikuar të dyshuarin që e ka përdorur atë.

Këtë e ka konfirmuar për lajmi.net, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

Ai ka thënë se përdoruesi i armës është një 51-vjeçar dhe se përveç armës janë konfiskuar edhe gjatë copë fishek, një revole me gaz e tipit “EKOL”, e kalibrit nëntë milimetërsh.

“Sot rreth orës 16:00 është raportuar për gjuajtje me armë zjarri në fshatin Shalë të komunës së Lipjanit. Policia me shpejtësi ka trajtuar informatën  dhe ka dalë në vendin e ngjarjes. Veprimet operativo-hetimore kanë rezultuar me identifikimin e të dyshuarit. Bëhet fjalë për F. Sh, mashkull, 51 vjeç,  nga i cili është sekuestruar, një revole me gaz, e tipit EKOL, kalibrit 9mm, si dhe gjashtë copë fishek”, tregoi Borovci.

:Ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti për  mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armës (Përdorim i armës). I njëjti është intervistuar nga ana e policisë dhe është proceduar më tutje në përputhje me rekomandimet e  prokurorit të shtetit”, theksoi Borovci. /Lajmi.net/

Arma e sekuestruar nga Policia e Kosovës.
Comments