Goditet një “Call Center” në Tiranë, sekuestrohen mbi 100 mijë euro

Policia në Tiranë ka goditur një “Call Center”, i cili sipas organeve të rendit, shërbente për të mashtruar qytetarët evropianë, duke i bindur të investonin në bursa fiktive.
Mes tjerash, Policia ka bërë të ditur se nga kontrollet në këtë “Call Center”, u gjetën dhe u sekuestruan gjithsej 106710 euro, 700.000 lekë të rinj (afro 7000 euro), 51 njësi kompjuterike, 14 aparate celular, lista me emrat e klientëve dhe shumave të përfituara, transmeton Klankosova.tv.
Si rezultat i këtij operacioni u arrestua administratori i subjektit, dhe u proceduan penalisht 38 persona të punësuar në “call center”.
Ndërsa në përfundim të veprimeve të para hetimore, u arrestuan në flagrancë edhe dy të dyshuar të tjerë.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprime të mëtejshme hetimore për veprat penale “Mashtrim me pasoja të rënda”; “Punësim i paligjshëm”; “Fshehje të ardhurash”; “Mospagim i taksave dhe tatimeve” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.