Gostivari, dinjiteti që nuk nënshtrohet, Tungjatjeta, djali i Gostivarit!

145

Historia e ka dëshmuar shumë herë se pushtetet i shfrytëzojnë njerëzit për interesa të momentit dhe, sapo u mbaron nevoja, i poshtërojnë dhe i hedhin si lecka. Fatkeqësisht, e njëjta logjikë po përsëritet edhe sot: dikush “fluturon” nga shëndetësia, dikush tjetër nga qeveria. Ky është modeli klasik i pushtetit që nuk njeh parime, por vetëm utilitet të përkohshëm.

Nuk mund të ketë njëkohësisht edhe vazal edhe zotëri. Ndëshkimi vjen, herët a vonë. Më pas u vjen radha edhe shërbëtorëve të huaj në vendin e tyre, sepse nuk ka poste pa merita. Ato mund të jepen përkohësisht, por nuk mund të mbahen gjatë. Në fund, gjithçka del në shesh dhe secili vendoset aty ku e meriton.

Gostivari ka plagë heroizmi, por edhe plagë tradhtie. Megjithatë, mbi të gjitha ka kujtesë, rezistencë dhe dinjitet. Kjo komunë ka ditur historikisht të qëndrojë në momente të vështira, kur pushteti ka tentuar të imponojë dhunë dhe të pengojë vullnetin e lirë të qytetarëve.

Pikërisht për këtë arsye, pas vetëm tre muajsh, qytetarët e Gostivarit dhe të Vrapçishtit arritën t’i rimarrin komunat nga kthetrat e një qeverisjeje të mbështetur në nacionalizëm maqedonas dhe në vazalë shqiptarë. Ky nuk ishte thjesht një rezultat zgjedhor, por një akt vetëdijeje politike dhe qytetare.

Kjo është arsyeja pse gostivarasit janë krenarë: krenarë për traditën, për unitetin dhe për pjekurinë politike. Sepse kur është fjala për të mirën e komunës, dinë të vendosin vetë, pa tutorë, pa presione dhe pa nënshtrim.
Në fund të fundit, pushteti nuk matet me numrin e komunave të fituara, por me drejtësinë, barazinë dhe mënyrën se si trajton qytetarët, e sidomos shqiptarët. Gostivari këtë mësim e ka dhënë qartë, me votë dhe me dinjitet.

Comments