“Grabitqar!”/ Putin nuk e “fal” Von der Leyenin? Financial Times: Avioni i zyrtares së BE u sulmua nga rusët

274
fresco

Avioni me të cilin udhëtonte Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von Der Lejen, nga Varshava (Poloni) për në Plovdiv (Bullgari) ka ndeshur në vështirësi për t’u ulur në aeroportin bullgar për shkak të pamundësisë së përdorjes së sistemit ndihmës satelitar.

Financial Times shkruan se dyshohet që ngjarja ka ndodhur për shkak të një sulmi rus në sistemet e komunikimit dhe orientimit të transportit ajror.

Pilotët e fluturimit special, pasditen e djeshme, janë detyruar ta realizojnë uljen me hartat e printuara që ndodheshin në avion, pa asistencën e sistemeve GPS.

“GPS-i i të gjithë zonës së aeroportit u fik. Pasi fluturoi përreth një orë, mbi aeroport piloti i aeroplanit mori vendimin për ta ulur aeroplanin manualisht duke përdorur harta analoge”, tha njëri nga zyrtarët.
Autoriteti Bullgar i Shërbimeve të Trafikut Ajror e konfirmoi incidentin në një deklaratë për Financial Times.

“Që nga shkurti i vitit 2022, ka pasur një rritje të dukshme të bllokimit [të GPS]. Këto ndërhyrje prishin marrjen e saktë të sinjaleve [GPS], duke çuar në sfida të ndryshme operacionale për avionët dhe sistemet tokësore”, thuhet në reagim.
Akuzat u mohuan nga Kremlini, ku zëdhënësi Dmitry Peskov, i tha FT se “informacioni juaj është i pasaktë”.

I ashtuquajturi bllokim dhe falsifikim i GPS-it , i cili shtrembëron ose pengon aksesin në sistemin e navigimit satelitor, është përdorur tradicionalisht nga shërbimet ushtarake dhe të inteligjencës për të mbrojtur vendet, por është përdorur gjithnjë e më shumë nga vende të tilla si Rusia si një mjet për të prishur jetën civile.

Qeveritë e BE-së kanë paralajmëruar se bllokimi në rritje i GPS-it, për të cilin fajësohet Rusia, rrezikon të shkaktojë një katastrofë të madhe ajrore duke verbuar në thelb avionët komercialë në mes të udhëtimit. Incidentet e bllokimit të GPS-it janë rritur ndjeshëm në Detin Baltik dhe në shtetet e Evropës Lindore pranë Rusisë vitet e fundit, duke prekur aeroplanët, anijet dhe civilët që përdorin shërbimin për navigim të përditshëm.

Von der Leyen po fluturonte nga Varshava drejt qytetit qendror bullgar për t’u takuar me kryeministrin e vendit, Rosen Zhelyazkov, dhe për të vizituar një fabrikë municionesh. Ajo ishte në një turne në shtetet e vijës së frontit të BE-së për të diskutuar përpjekjet për të përmirësuar gatishmërinë mbrojtëse të bllokut në përgjigje të luftës së Rusisë kundër Ukrainës.

Comments