Greqia refuzon ekstradimin e shtetasit maqedonas Aco Bocevski, i kërkuar për vrasje të vitit 1997

113

Shtetasi i Maqedonisë së Veriut Aco Bocevski, i kërkuar me fletarrest evropian për një vrasje të kryer para 28 vitesh, i cili u arrestua në fund të majit të këtij viti në qytetin grek Katerini, nuk do të ekstradohet në vendin e tij për shkak të parashkrimit të rastit. Kështu ka vendosur gjykata në Selanik, njofton agjencia greke ANA-MPA, transmeton korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Krahas refuzimit të kërkesës së Maqedonisë së Veriut për ekstradim, gjyqtarët kanë vendosur t’i shfuqizojnë masën e paraburgimit.

Vrasja për të cilën 60-vjeçari kërkohej me fletarrest evropian ka ndodhur në nëntor të vitit 1997 në Maqedoni, ku viktimë ishte një 37-vjeçar. Autori ishte dënuar me 15 vite burg, por kishte ikur në Greqi. Para gjashtë muajsh, siç njoftoi MIA, ai u arrestua në Katerini.

Sipas dosjes gjyqësore dhe dokumenteve të Prokurorisë së Maqedonisë së Veriut, 60-vjeçari kishte shkaktuar qëllimisht një aksident trafiku dhe, pasi viktima kishte dalë nga vetura për të parë dëmet, autori kishte qëlluar me armë ndaj tij duke e vrarë. Një vit më vonë ishte zhvilluar gjyqi dhe ai ishte dënuar me 15 vite burg.

Para gjykatës së Selanikut, ai ka deklaruar se pas lirimit nga paraburgimi kishte ikur dhe ishte vendosur në Greqi, ku aktualisht zotëron një biznes me dhoma me qira në zonën Pieria. Përmes avokatëve të tij, ai ka pretenduar se në atë periudhë kishte shërbyer në sigurimin personal të presidentit të atëhershëm, Kiro Gligorov, dhe se ishte në shënjestër për arsye politike.

Sipas tij, ai ishte mbajtur 90 ditë në paraburgim, pas së cilës ishte liruar dhe më pas kishte ikur me një pasaportë të lëshuar nga autoritetet e vendit të tij dhe ishte vendosur në Greqi.

Duke marrë parasysh se dënimi është shqiptuar para më shumë se 20 vitesh, sipas Kodit Penal grek rasti konsiderohet i parashkruar, ndaj dhe gjykata ka refuzuar kërkesën për ekstradimin e tij në Maqedoninë e Veriut.

Comments